Policia e Tiranës njoftoi këtë të enjte arrestimin e një të riu, pas dyshimeve se shpërndante drogë nëpër shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit.

22-vjeçari Leonard Doka, banues në Tiranë u arrestua pasi u kap me 30 doza kanabis. Sëbashku me të, policia nisi procedim në gjendje të lirë edhe për dy të rinj të tjerë.

“Për Leonard Dokën disponohej informacion se shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit (“Ali Dem”, “Kushtrim i Lirisë” dhe “1 Maji”) dhe në momentin që është konstatuar së bashku me 21-vjeçarin M. B., nga shërbimet e policisë iu është ushtruar kontroll fizik, ku Leonard Dokës i janë gjetur 30 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa”,

thotë policia në njoftimin e saj për mediat.

Gjithashtu në ambientet përreth shkollës “Qemal Stafa”, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj një 24-vjeçari me iniciale A. B., autoritetet i gjetën atij 2 doza kanabis. Ky i fundit u procedua në gjendje të lirë, sëbashku me 21-vjeçarin që shoqërohej me Dokën.

Pak ditë më parë, emisioni “Stop” solli për publikun një investigim të bërë në disa nga shkollat e mesme të Tiranës, aty ku lëndët narkotike shiten e blihen në mes të ditës fare lirisht.

Investigimi tregonte sesi në gjimnazet “Partizani”, “Sinan Tafaj”, “Ibrahim Rrugova”, “Besnik Sykja” e “Petro Nini Luarasi” është më lehtë të gjesh hashash se çdo gjë tjetër. Madje ka raste kur dozat e narkotikëve hidhen nga dritaret e klasave.

Kamera e emisionit “Stop” shfaqi me zë dhe figurë sesa lehtë mund të blihet hashashi nga nxënësit e shkollave të mesme në kryeqytet.

/tvklan.al