Emisioni “STOP” rikujton problematikën që shoqëroi tenderin e lavanterisë në spitalin e Durrësit, ku u shpall fitues “Sanitary Cleaning”. Presidenti i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Lacej thotë për gazetarin e emisionit se nëse prokura e posaçme nuk pajiset me vulë apostile, deklarata e bashkëpunimit është nul. Në fakt kjo ishte vetëm një nga parregullsitë e procesit, që do të duhej ta kthente tenderin në pikën e nisjes.

Investigimi dhe zbulimi i shkeljeve flagrante të tenderit të lavanterisë nga Spitali i Durrësit, ku morën pjesë 5 operatorë, por si për çudi fitoi “Sanitary Cleaning”, një bashkim i 3 kompanive që rezulton problematik, risillet sot në emisionin “STOP”.

Shoqëria italiane “A.G.LAUNDRI” SRL mori përsipër të kryejë 60 % të shërbimeve, subjekti “MIMOZA DELIU”, si person fizik, 30% dhe “Sanitary Cleaning” ndërmori 10%.

Por 80% e dokumenteve të dorëzuara nga fituesi i tenderit nuk janë origjinale, në kundërshtim me procedurat ligjore.

Emisioni “STOP” provon që dokumentet nuk janë dorëzuar në bazë të ligjit të tenderit, pasi shumica e tyre nuk janë origjinale, por fotokopje.  

Prokura e Xhovana Leonardit nga shoqëria “A.G.LAUNDRI” SRL është totalisht në shkelje, pasi procedura është bërë më 24 Qershor 2017, ndërsa pajisja me vulë është bërë më 26 Qershor 2017.

Subjekti “MIMOZA DELIU” nuk ka kapacitetin e duhur për të zhvilluar shërbimin e lavanterisë, gjithashtu ka probleme në dokumentacionin që ka dorëzuar në OSSHE dhe faturat tatimore.

Ndërsa operatori i tretë, “Sanitary Cleaning” nuk ka dorëzuar kontratën origjinale të qerasë, por një fotokopje të saj.

I pyetur nga gazetari se si mund të jenë përzgjedhur këta operatorë kur dokumentet nuk janë origjinale, nëndrejtori Shehu u shpreh se dokumentacioni i nevojshëm për tenderin e zhvilluar gjendet online.

“Komisioni jonë ka bërë vlerësimin e këtij tenderi, pas të cilit janë instanca të tjera ku është KPP, pastaj Gjykata Administrative, pra janë procedura varg që lidhen. Paraqitja e dokumenteve origjinale te ne nuk është bërë, pasi nuk është mbyllur procedura finale që të jetë firmosur kontrata me fituesin. Kështu që …  Gjithçka është parë nga një grup komisioni.”

Endrit Shehu pranoi që ka qenë kryetar i Komisionit të Ofertave dhe i vendosur në pozitë të vështirë para pyetjeve të gazetarit tha: 

“Në momentin që ai sjell dokumente, të cilat dyshohen se nuk janë origjinale nga ana juaj, atëherë nuk lidhet kontrata.”

Ai gjithashtu u shpreh se detyra e tij është të jetë mjek dhe si i tillë i ka vlerësuar operatorët për tenderin e shërbimit të lavanterisë në spitalin e Durrësit.

Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua Presidentit të Dhomës Kombëtare të Noterëve, për të komunikuar me Fatmir Lacej në lidhje me dokumentet e opreatorëve, të cilat janë të pa pajisura me vulë apostile.

“Unë doja t’ju bëj të njohur që vendi jonë ka aderuar në një konventë, që është Konventa e Hagës për sa i përket vulës apostile. I gjithe dokumentacioni që kalon nga një shtet në shtetin tjetër, legalizohet në mënyrë ndërkombëtare, nëpërmjet kësaj vule apostile. Pra, një prokurë, e cila bëhet në Shqipëri, detyrimisht duhet të kalojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të marrë vulën apostile. Është një vulë që e legalizon dokumentin dhe çdo noter e ka shumë të qartë se edhe Italia është një vend aderues i kësaj konvente, që për të përdorur një dokument të bërë në një shtet të huaj duhet të ketë vulë apostile. Pa këtë vulë nuk duhet të bëhen veprime!”

Por shoqëria italiane “A.G.LAUNDRI” SRL ka dorëzuar dokumentet të papajisura me vulë apostiledhe çuditërisht ka fituar tenderin e lavanterisë në spitalin e Durrësit ./

tvklan.al