Talk Show nga Ardit Gjebrea!

NE JEMI CFARE HAME DHE KUJDES SHENDETIN!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Atëherë kur ëndrrat e Jolandës ishin bërë thuajse realitet, me një bashkëshort që e kishte zgjedhur vetë dhe dy fëmijë si fryt i dashurisë, ajo zbulon faktin tronditës në një mënyrë të pa imagjinueshme. E dashura e bashkëshortit i dërgon fotot “live” nga një shtet tjetër, si një mesazh se ajo martësë kishte përfunduar.

“Unë vij nga Lezha, u njoha me një djalë nga Maqedonia, u fejuam, u martuam çdo gjë në rregull. Një jetë shumë të lumtur, linda edhe dy djemtë. Bashkëshorti u njoh përmes rrjeteve sociale me një sebre që jeton në Kroaci dhe i komentonte në çdo foto të tij. Durova disa ditë, bëja sikur nuk dija gjë, por ai u largua, rrinte i mërzitur. Në shtëpi nuk vinte fare, qëndronte tek hoteli, unë qaja natë e ditë, nuk dija çfarë të bëja. Një natë më merr në telefon dhe më thotë zbrit poshtë dhe më bëj valixhen gati se do iki në Gjermani për punë, se merrej me tregti makinash. Serbja më dërgon foto që ishin bashkë duke kaluar bukur në një resort në Turqi. Kur i pash fotot ngela pa fjalë, nisa të bërtisja, të qaja, se si më gënjeu. Më pas më mori në telefon, por ai nuk dinte gjë që kisha parë fotot dhe më thotë: “Zemër, çfarë po bën?” Pasi i tregova vjehrrës dhe të gjithëve, sapo u kthye i thashë ti ke qenë me serben dhe ai e mohoi, duke u betuar për fëmijët. Ajo ishte gjëja më e dhimbshme… ti nuk je më burri im. Kur pa fotot nuk u kthye më në shtëpi. Unë qëndrova disa ditë dhe më filloi tensioni i lartë. Kurrë nuk e harroj që merrja djalin natën nëpër borë, ikja tek hoteli dhe kontrolloja për atë, shikoja ku rrinte. Ai vinte më sillte rrobat dhe thoshte që atë e kam për jetë luksi dhe e dua, madje më kalonte edhe atë në telefon disa herë”, tregon Jolanda.

Jolanda tregon që të gjitha vështirësitë i ka kaluar me djalin e madh dhe familjen e saj. Babai i ka vdekur dhe në atë periudhë edhe nëna ishte e shtruar në spital nga zemra. Vëllai i saj, teksa ishin vetëm në shtëpi kishte blerë fotoksinë dhe vdiq pranë motrës.

Sa shkova në Maqedoni më vjen lajmi që më vdiq nëna dhe u ktheva përsëri, mbeta e vetme edhe në Lezhë dhe atje. Kur u ktheva tentova të vrisja veten dhe rashë pa ndjenja, por zoti më shpëtoi. Më mbuluan me batanije vjehrra me burrin, më kujtuan të vdekur, ndërsa djemtë qanin. Por u zgjova pas disa orësh dhe nuk lëvizja dot, me vështirësi mora telefonin dhe thirra ambulancën. Kur vjen ambulanca vjehrra i thotë nuk kemi njeri të sëmurë. Bashkëshorti iku tek ajo tjetra dhe erdhi pasdite për të ngrënë tek ne. Edhe më thotë djalin e madh mbaje ti, ndërsa të voglit i jep 300 Euro dhe i thotë të rrinte atje me atë. Ai iku nga makina e tij me lot në sy, i hodhi lekët dhe erdhi me ne në autobus. U ktheva në Lezhë, por atje nuk kisha asnjë dhe qëndrova tek vëllai tjetër. Fëmijët nuk duan të flasin me të atin. Ai tani ka një vajzë me serben, kanë pesë vite pa u takuar, por unë e marr në telefon që mos të shkëputen. Sot dy fëmijët i kam thirrur që t’i them, se unë do jem pranë tyre me gjithë fuqinë e zemrës dhe shpirtit deri në fund të jetës.

E rëndësishme është të ecësh përpara, pavarësisht vështirësive dhe Jolanda e ka bërë megjithëse krejt e vetme. Ajo dhe fëmijët i kanë dhënë forcë njëri-tjetrit në kohërat më të vështira. Nuk është e vështirë të bëhesh prind, por të dish të sillesh si i tillë. Kjo nënë meriton respekt për sakrificat e saj.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Pas 50 vitesh, Haxhirja sjell në vemendje kujtimin e vëllait të ndjerë jo thjesht për veten e saj, por për t’i bërë surprizë dy personave më të dashur të jetës, e për të përcjellë emocione të mëdha. Një fotografi mund të ndryshojë buzëqeshjen e dikujt…

“Nga martesa e parë e babait, lindin tre djem. I pari ndërron jetë 6 vjeç, i dyti përsëri ndërron jetë 3 vjeç, i vogli ishte 3 vjec kur ndërron jetë bashkëshortja shtatzënë. U martua me nënën time shumë shpejt, sepse kishte djalin e vogël. Më vonë ikën një kushuri në Amerikë, komplet si fis u persekutuam. Të drejtë studimi nuk kishte asnjë. Vëllai ishte ekselent, i doli shkolla në Fier për agronomi dhe filloi punë një vit dhe pastaj nuk iu lejua të vazhdonte për shkak të historisë së familjes. Babai e martoi shpejt, nusen e morëm nga Peqini, atë vit linda edhe unë. Vëllai u sëmurë rëndë, ndërsa nëna shkonte çdo ditë në punë. Kur unë isha 3 vjeçe lindi mbesa. Në moshën 1 vjeçare të mbesës vdes vëllai. Babait i ikën 3 djemtë dhe bashkëshortja. Amaneti i vetëm i vëllait ishte shkollimi i vajzës. Nusja e vëllait që më rriti, iku bashkë me mbesën tek familja e saj. Më pas ajo u martua dhe babai shkonte tek mbesa për vizitë, madje dhe ata vinin tek ne. Sot kam thërritur dadën që më rriti, Lemen dhe mbesën, Hanme.

Haxhirja: Dadë, më fal që të riktheva ato kujtime të trishtueshme, të jam mirënjohëse edhe që amanetin e vëllait e plotësove.

Hanme tregon se është rritur nga gjyshërit dhe kurrë nuk e kanë ndaluar të shkonte pranë familjes së babait biologjik, të cilin ajo e njeh shumë pak dhe thuajse nuk ka asnjë kujtim nga ai. Në studion e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shfaqet një mesazh nga një prej shokëve të babait të saj, i cili i premton se do mbledhin gjithë kujtimet që kanë nga babai dhe do t’ia prezantojnë edhe Hanmes.

Dada Leme dhe mbesa Hanme janë model i mirësisë dhe i dashurisë mes miqve e të afërmve, i atyre vlerave që sado që mund të pakësohen, nuk zhduken kurrë mes shqiptarëve. Haxhirja ndihet me fat që i ka dhe që plotësoi një ëndërr të hershme të mbesës, duke i gjetur foton e shumëkërkuar të të atit.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Këtë të diel në “Shihemi në Gjyq” tek “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ishin të ftuar Pandeliu dhe bashkëshortja e tij, Lisaveta. Pavarësisht se kanë 42 vite martesë, fëmijë, nipër e mbesa, ata jetojnë të ndarë si pasojë e disa konflikteve për prona.

Pandeliu bën fajtore Lisavetën për faktin se ka mbetur pa shtëpi. Që në momentin që Pandeliu është martuar me zonjën Lisaveta, kanë jetuar në shtëpinë e prindërve të Lisavetës. Në një moment të caktuar, prindërit e Lisavetës largohen dhe shkojnë e jetojnë në një tjetër shtëpi, që është edhe një shtëpi kulture në qytetin e Korçës, një shtëpi e vjetër e gjyshes së Lisavetës nga mamaja. Kjo ndërtesë shtetërore kalohet në emër të zotit Pandeli dhe zonjës Lisaveta. Nga kjo shtëpi, meqenëse donin t’ju fusnin një qiraxhi, ata largohen dhe shkojnë në një shtëpi më të vogël, ku qëndrojnë vetëm fëmijët.

Në vitin 1984 vdes babai i zonjës Lisaveta, ndërsa nëna rron vetëm. Meqenëse vuante nga sëmundja e sklerozës, mblidhen motrat e Lisavetës dhe vëllai dhe vendosin që kush do të mbajë mamanë në këtë shtëpi, do të marrë edhe shtëpinë. Atëherë Lisaveta dhe bashkëshorti u vendos se do të mbanin nënën. Lënë apartamentin shtetëror dhe kalojnë bashkë me mamanë në shtëpinë e vjetër. Në vitin 1987 vdes edhe mamaja e Lisavetës. Që nga ky moment deri në vitin 1999 ata kanë vazhduar të banojnë në këtë shtëpi, ndërsa më pas nuk kanë shkelur më aty.

“Këta zotërinj hoqën dorë nga dy apartamente shtetërore, pra nga i pari që e lanë që do futej një qiraxhi dhe nga i dyti për tu zhvendosur tek mamaja, dhe nuk përfituan asnjë pronë, siç morën motrat dhe vëllai i zonjës Lisaveta, me idenë që motrat dhe vëllai do ju falnin pjesën në shtëpinë e vjetër ku jetuan dhe pleqëruan mamanë. Por kjo nuk ndodhi. Ky është konflikti”, tha Zonja Eni.

Një motër e mbajti fjalën dhe e dha pjesën e saj, ndërsa motra tjetër dhe vëllai nuk e bënë. Ata përfituan edhe shtëpi shtetërore edhe pjesën në shtëpinë e vjetër.

“Sot këta zotërinj janë pa pronë. Se si është e mundur, që në këtë shtëpi që duhej t’ju takonte të gjithë fëmijëve dhe një daje në SHBA, kjo shtëpi sot figuron vetëm në emër të vëllait të Lisavetes.”

Pandeliu: Unë besova tek këta njerëz, e mbajta unë nënën e tyre, e mbajti dhe Lisaveta, por ishte nëna e saj. Të tjerët nuk shkuan, shkova unë. Megjithatë, nuk jam pishman që e mbajtëm sepse e kishte nënë.

Lisaveta: Pandeli, të lutem shumë. Pse me grindje për këto muhabete. Ç’faj të kam unë?

Pandeliu: Ti ke faj se ke vënë një firmë siç thonë ata, ku hequr dorë nga prona.

Lisaveta: Le të dalë firma që kam bërë unë. Unë skam vënë asnjë firmë asgjëkund. Si heq dorë unë nga prona ime?

Pandeliu: E ka autorizuar atë.

Lisaveta: Kë kam autorizuar unë ore Pandeli? Ti kur s’më beson mua, kë do të besosh?

Pandeliu: Ne kishim Merko Muhametin, nuk kishim njeri tjetër. Atje del sikur ai tjetri është avokati yt.

Në një gjyq në vitin 1995, gjykata njohu si pronar të gjysmës së shtëpisë Zotin Kosta, i cili është me familjen e tij në Amerikë dhe si pronar të gjysmës tjetër të shtëpisë 4 fëmijët e Zonjës Ollga.

“Pas vitit 1995, kur kjo pasuri ishte në ermin e 4 fëmijëve, si mundet të ketë kaluar vetëm në emrin e vëllait, Leonidhas? Dhe mbi të gjitha, si mundet që edhe pjesa e Dajës Kosta, të kalojë në emër të nipit, Leonidha?”, pyeti zonja Eni.

Lisaveta: 42 vite e martuar me Pandeliun. Të zihem të therem, të mbetem rrugëve? Pandeliu mund të ketë shumë të drejtë, por ç’faj kam unë.

Pandeliu: Ti ke faj sepse njerëzit e tu janë ata. Janë njerëzit e tu, nuk janë të mitë. Dhe unë vajta e mbajta mamanë tuaj. Nuk e mbajtën ata, që e kishin nënë. Lamë shtëpinë që e mori shteti dhe më morën edhe shtëpinë që e kishim lënë ta mbaja unë.

Zonja Eni: Pandeli çfarë i kërkojmë Lisavetes? Jeni 42 vjet çift, keni nipa dhe mbesa, të kenë jetë të gjatë. Ju të dy çdo të bëni sepse të gjithë janë në rregull, por ju të dy jetoni veç, dhe kjo më duket shumë e dhimbshme që një shtëpi të bëhet sebep për ndarjen e një çifti.

Pandeliu: Ju keni të drejtë, por edhe unë i kërkoj Lisavetës, sepse kam mbetur pa shtëpi dhe pa katandi. Të më kthejë diçka nga këto që kam humbur. Nuk e ka fajin ajo plotësisht.

Zonja Eni: Lisaveta ti si e mendon? Do ta vazhdosh këtë përpjekje ligjore për të marrë pjesën që të takon, sepse ke që në vitin 2005 që e ke lënë.

Lisaveta: Po po.

Zonja Eni: Po pse nuk e ke bërë deri më sot.

Lisaveta: Nuk çaja dot, se më premtonin shumë dhe asgjë s’më bënin.

Zonja Eni: Unë e ftoj Pandin të tregohet më tolerant sepse gabimi nuk ka qenë i Lisavetës. Të garantoj për këtë. Dhe ta shikosh më me dashuri Lisavetën. Keni 42 vite martesë dhe do të doja që ju të bënit sot një akt si xhentil burrë që jeni kundrejt bashkëshortes tuaj.

Pandeliu: Momentet e sjellin këtë. Për arsye se njerëzit kur kanë halle probleme dhe mbesin në rrugë dhe nuk dinë si të veprojnë. Siç mbajtëm nënën e saj do të mbajmë edhe familjen tonë. Patjetër.

Zonja Eni: Lisaveta, uroj që në Gjermani dhe kudo të shkosh bashkë me Pandin. Të mos shkosh më vetëm. Gëzohem që Pandi tha këtë mesazh të fundit. Dua ta mbyll këtë seancë ndërmjetësimi me këtë dashuri të madhe të një babai, për fëmijët, për gruan, por edhe për vjehrrën. Pra nuk e patën fëmijët për nënën, sesa dhëndri për vjehrrën.

BE coffee!