Është mbajtur në Lezhë aktiviteti përkujtimor kushtuar 619-vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Ceremonia u zhvillua në Memorialin e tij ku të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit lokal dhe historianë. Përgjegjësi i trashëgimisë kulturore Paulin Zefi tha se ditëlindja e Gjergj Kastriotit nuk është ende festë Kombëtarë, ndërsa ka qenë Bashkia Lezhë që për herë të parë në vitin 2017 nisi kremtimin e kësaj feste.

Pailin Zefi, historian: E rëndësishme është që të përkujtohet ditëlindja e tij. Sot është dita e Shën Gjergjit, ditë e rëndësishme dhe bashkëlidhur me ditën e Shën Gjergjit emrin e të cilit mban edhe heroi kombëtar ne e kremtojmë këtë festë që tashmë po kthehet në një festë mbarë kombëtare. Kemi nisur si festë lokale, pra vetëm Bashkia Lezhë më 2017-ën, fatmirësisht sot ka marrë jehonë të jashtëzakonshme, festohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, nga shqiptarët e Malit të Zi, e në Itali.  

Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë Eueda Molla, tha se Skënderbeu bëri rezistencë të pa shoq për liri dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Eueda Molla, nënkryetare e Bashkisë Lezhë: Me guxim, mençuri, besimi ideal i tij, ai e udhëhoqi popullin në kohërat më të vështira të pushtimeve, të armiqësive. Dita e lindjes së Gjergj Kastriotit është një rast për të reflektuar mbi trashëgiminë e tij, mbi vlerat e tij të pandërprera dhe për frymën e tij frymëzuese që vazhdon të jetojë edhe sot në zemrat tona.

Me rastin e kësaj feste nxënësit e shkollave të Lezhës organizuan një ekspozitë me punime të ndryshme ku në thelb ishte portreti i Gjergj Kastriotit. Aktiviteti përkujtimor i organizuar nga Bashkia, u mbyll me një koncert kushtuar figurës së heroit tonë kombëtar.

Klan News