#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #albaharuni#adrian#bashkeshorte#vdekje#babai#nena#flutur#studio

Humbi babain papritur 3 vite më parë, brenga përndjek Albën: Kisha 3 javë pa i dëgjuar zërin

Viti 2024 përkon me 35-vjetorin e njohjes së Albës me “të dashurin e saj” me të cilin sot ka dy fëmijë. Alba ishte vetëm 16 vjeçe kur kuptoi se personi me të cilin ajo ishte dashuruar, do të ishte udhëtari i saj i jetës. Por me kalimin e kohës, vrapin pas jetës dhe punës së përditshme, ajo nuk arriti të grumbullonte momente të mjaftueshme me të atin, i cili ndërroi jetë 3 vite më parë. Kjo brengë që Alba e ndan me “Ka Një Meszh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e shoqëron edhe sot e kësaj dite.


Alba: Vetëm 3 vite më parë unë humba babain tim. E humba në një mënyrë krejt të papritur, pa vuajtur asnjëherë. Vdekja e tij e papritur na shokoi të gjithëve, por ajo që unë përjetoja ditët kur ne e nderonim ikjen e tij, nuk më ngushëllonin fjalët e njerëzve që ai vdiq siç do donte çdokush, pa ndier asnjë dhimbje, në gjumë. Fajësoja veten time.

Ardit Gjebrea: Pse?

Alba: Sepse babi jetonte me vëllain, me nusen, me mamin. Motra kishte një punë afër shtëpisë së prindërve dhe e takonte pothuajse çdo ditë babin.

Ardit Gjebrea: Ti jo dhe aq shpesh.

Alba: Unë me dy djem, me burrin, me familjen…

Ardit Gjebrea: Me punët, me impenjimet.

Alba: U gjenda përpara faktit që kur njerëzit, kur vëllai, motra flisnin për kujtime, flisnin për bisedën e fundit që mund të kishin bërë me babin, unë e gjeta veten pa kujtime me babain tim.

Ardit Gjebrea: Jo aq sa do doje ti se pa kujtime…

Alba: Kisha vetëm kujtimet e fëmijërisë, shumë të ndjera dhe shumë të gjalla. Ama kujtime të rritjes time nuk kisha dhe këtë gjë unë e vuajta dhe vazhdoj ta vuaj.

Ardit Gjebrea: Se u dashurove 16 vjeç. Dashuria ka dhe kosto.

Alba: Nuk e fajësoj veten për këtë gjë pasi mendoj që gjërat bëhen në jetë unë lashë dhe ëndrra të tjera pa përmbushur për shkak të dashurisë dhe familjes, por që gjeta një kohë të dytë për t’i bërë.

Ardit Gjebrea: Shiko, unë nuk dua të të ngushëlloj duke të thënë, por ti gjithmonë ke qenë aty sa herë që babai ka patur nevojë ti ke qenë, kur ti ke patur nevojë ai ka qenë aty…

Alba: Babai im ishte një person që për mënyrën e jetës së tij nuk mbante as telefon, nuk donte dhe ne si vajza që priremi vetëm të telefonojmë nënën, të pyesim për njerëzit në përgjithësi se si janë, unë realisht edhe zërin kisha 3 javë pa ia dëgjuar, është brenga ime kjo.

Ardit Gjebrea: Të ka mbetur.

Alba: Vazhdoj ta ndiej dhe ta vuaj.

Dhimbja e largimit të nënës nga jeta, Alba: Bashkëshorti shkon ende te shtëpia e saj, ushqen zogun…

Humbja e të atit 3 vite më parë, pa patur kohën e mjaftueshme që të krijonte kujtimet e saj me të dhe të përshëndetej si duhet,i ka lënë Albës një brengë të madhe. Një dhimbje të ngjashme bashkëshorti i saj, Adriani e ka përjetuar një vit më parë. Nëna e tij ndërroi jetë për shkak të moshës dhe dhimbja është ende e freskët.

Alba rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se si po e përjeton bashkëshorti i saj, i cili ka patur një lidhje shumë të veçantë me nënën. Ajo e konsideron të pamjaftueshëm ngushëllimin e saj dhe ka bërë përpjekje që gjatë kohës që e ndjera ishte ende në jetë, Adriani të përfitonte nga këto momente për të mos kaluar situatën e Albës. Megjithatë, Adriani ndjek ende disa rituale në kujtim të saj.


Alba: Muajt e fundit ajo zuri shtratin për shkak të moshës dhe pamundësisë dhe Adit iu desh të përkujdesej edhe fizikisht për të, të ishte prezent me gjithçka  që asaj i duhej. Ditë pas dite, gjërat për të rëndoheshin psikologjikisht. Përveçse mbështetjes morale, fizike që ne duhet ta përballonim së bashku, ishte shumë e vështirë të gjeje një frazë ngushëllimi për ta bërë të kuptonte që nëna tashmë kishte marrë një rrugë pa kthim dhe as me fjalë nuk gjeta dot t’ia thoja, por një ditë kur e pashë ashtu të tensionuar, u ula dhe i çova një mesazh. Ndonjëherë edhe telefoni na shërben për një gjë të mirë dhe i shpreha ndjesitë e mia dhe brengën time që nuk pata mundësi t’i shërbej babait tim. I sugjerova që të shihte anën pozitive të kësaj gjëje që po ndodhte. I thashë që tashmë rruga për të ikur është nisur, i thashë mundohu që ti t’i marrësh më të mirën kësaj gjëje, ta quash si një sprovë ndaj Zotit që ti po i shërben njeriut tënd më të dashur. Jo të gjithë fëmijët sprovohen në shërbim të nënës.

Ardit Gjebrea: Asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

Alba: Asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Çfarëdo që të bësh, sikur të rrish prapë 24 orë dhe ato orët  e gjumit ti thua pse i bëra, në momentin që ikën nëna kështu që çfarëdo që të thuash… është një ndjesi…

Alba: E di që ai ende nuk e ka kaluar, sado që nuk e jep veten kanë ngelur ende disa rutina të përditshme të tij, shkon ende te shtëpia e nënës, ushqen ende një zog që ne ia kishim blerë për ditëlindje, hap dritaren të ajroset, vjen prapë në shtëpi, merret me ca gjëra pasditeve kur kthehet nga puna dhe përsëri,  pavarësisht se pësojmë, ne nuk mësojmë.

Përjetimi i Gjebreas pas humbjes së nënës: Ktheja kokën dhe ajo nuk ishte aty. E shita shtëpinë

Nisur nga rrëfimi i Albës në “Ka Një Mesazh Për Ty” e cila tregoi se si bashkëshorti i saj, Adriani po e përjeton humbjen e së ëmës duke u kapur pas kujtimeve të saj, duke vizituar çdo ditë shtëpinë, Ardit Gjebrea ndan një moment personal. 5 vite më parë, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan humbi nënën e tij, një dhimbje që nuk zbehet kurrë.

Por njësoj si Adriani, Gjebrea shprehet se dhimbja e përfshiu kaq shumë për një kohë të gjatë duke i marrë kohë gjithçkaje tjetër të shtrenjtë sa vendosi të shiste shtëpinë, një vendim që i dha mundësinë të dilte nga gjendja e mëparshme.


Ardit Gjebrea: Unë e kam përjetuar vetë sepse unë kam qenë shumë i lidhur me nënën time kështu që e kisha shumë të vështirë kur ikja në mëngjes nga shtëpia dhe dilja nga dera, ktheja kokën dhe kur ajo nuk ishte aty mua e gjithë dita më shkonte në trishtim dhe e përjetova për një kohë të gjatë derisa e shita shtëpinë sepse nuk po e përballoja dot më.

Tani jam shumë më i qetë, kam përjetimet e mia, shkoj, e vizitoj, e mendoj shpesh etj, por ika nga kjo gjëja që ishte pak shumë. Ishte një presion i jashtëzakonshëm që më trishtonte non stop dhe që ndikonte në jetën time, i merrte pak më shumë se ç’duhet edhe dashurisë së fëmijëve, të bashkëshortes, të punës, të gjithçkaje kështu që është aty, është ai engjëlli që më mbron gjithmonë bashkë me babanë tim, por mendoj që ishte një nga veprimet më të mira që bëra dhe do ua sugjeroja edhe juve.

Tre histori për humbjen e njerëzve të dashur, Ardit Gjebrea pikas mysafirin e papritur: Një flutur!

Një ngjarje shumë e pazakontë ndodhi pas hyrjes së Adrianit në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty”. Bashkëshortja e tij, Alba rrëfeu se ajo humbi të atin 3 vite më parë ndërsa nëna e Adrianit u nda nga jeta para një viti. Moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ndau gjithashtu një përjetim personal të humbjes së nënës së tij.

Pas përshëndetjes me Adrianin, ndërsa po kthehej në vendin e tij, Gjebrea u gjunjëzua për të treguar një mysafir të papritur në studio: një flutur. Sipas besimeve të ndryshme, fluturat konsiderohen rimishërim i një njeriu që është ndarë nga jeta.


Ardit Gjebrea: Është një flutur këtu.

Adrian: Flutura… ose ndonjë shpirt që siç e kemi ne zakon që themi që shpirtrat shndërrohen në flutur. Qoftë për mirë!

Ardit Gjebrea: Atë mendova.

Adrian: Edhe për neve, edhe për ju për emisionin.

Ardit Gjebrea: Faleminderit! Është shumë e çuditshme.

Mësime që burojnë nga dhimbja, Alba i përçon një mesazh “të dashurit të saj”

Humbjet, sfidat, momentet e dhimbshme dhe të vështira burojnë mësime dhe përvoja. Ky është qëllimi i Albës, që me ardhjen e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” dëshiron t’i japë bashkëshortit ose”të dashurit”, siç e quan ajo, Adrianit forcë, por edhe t’i kujtojë se ka ende kohë për të vepruar ndryshe.

Të dy kanë humbur njërin prind pak kohë më parë,  por ndryshe nga Alba, Adriani ka patur mundësinë të kujdeset me nënën e tij. Ai e ka ende të vështirë të shkëputet nga kujtimet dhe përmes këtij mesazhi në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Alba i shpreh se mësimi më i mirë që të dy kanë marrë, është t’i japin vetes më shumë mundësi për të ndenjur me fëmijët.


Alba: Adi, ti e di shumë mirë që unë gjithmonë shpirtin e babit e kam identifikuar me një flutur. Edhe kur ndërroi jetë mami,  flutura ishte aty, pra kjo historia e  fluturës qenka gjithmonë e vërtetë. Edhe të doje ta sillje nuk do mbërrinte kështu. Adi, e di që humbja e nënës nuk është e lehtë për t’u kapërcyer por ti pate fatin t’i shërbeje asaj, t’i merrje asaj ndërsa unë në humbjen e babit nuk pata mundësi. Unë nuk pata mundësi si bijë të kisha kujtime me babain tim. Kujtimet për të unë i kam vetëm nëpërmjet fjalëve të motrës, të vëllait dhe fëmijëve tanë të cilët e deshën shumë gjyshin dhe gjetën mundësinë ta takonin. Por ne që pësuam duhet të mësojmë, duhet të mësojmë dhe t’u krijojmë fëmijëve tanë mundësi të kenë ata kujtime me ne. Për ne jeta duhet të vazhdojë duke mbartur kujtimet e  prindërve tanë, por dhe duke u lënë kujtime fëmijëve tanë. E dimë që ata janë të ngarkuar me punë, shpesh ndodh edhe mos t’i takojmë pavarësisht se fati na i ka lënë këtu në Shqipëri, nuk na i ka degdisur rrugëve të botës dhe përsëri…

Adrian: Edhe në Shqipëri ai që do të punojë ka mundësi të realizojë ëndrrën e vet, Shqipëria ka shpresë për ata që duan. Është e vështirë, por ka shpresë.

Ardit Gjebrea: Shiko Adi, nga këto humbje që keni patur ti dhe Alba, cili është konkluzioni që ke nxjerrë?

Adrian: Jeta nuk është fushë me lule dhe martesa, ne vërtet jemi të dashur, por edhe martesa ka ato oshilacionet e veta, por njeriu brenda vetes e gjen atë që t’i sheshojë dhe mbi të gjitha të tregojë dashurinë, mos të shohë atë mangësinë ose defektin te partneri, gjërat e vogla harrohen.

/tvklan.al