#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #silvana#itali#marjan#vilma#qendrakulturoremargaritaxhepa#asti#kurse#gjuhashqipe#tumor

“Fëmija nuk ia doli dot”, Silvana rrëfen për herë të parë humbjen e saj

Prej 24 vitesh Silvaa është larguar për në Itali ku jeton me familjen e saj. asokohe ishte vetëm 12 vjeçe dhe për disa kohë arriti që të ndiqte shkollën, por më pas mundësitë e pakta ekonomike e detyruan që të kthehej në ndihmë për familjen. Që atëherë, ajo ka bërë punë të ndryshme: kamariere, sanitare,  kasape, infermiere, gjithçka që i dilte përpara. Njëkohësisht, nisi të angazhohej vullnetarisht për të ndihmuar emigrantët shqiptarë që të pajiseshin me dokumentacion.

Në disa raste mori veçse mosmirënjohje dhe siç shprehet Silvana në “Ka Një Mesazh për Ty”, kjo e bëri “ta urrente Shqipërinë”. Njëkohësisht, e njohu edhe me bashkëshortin e saj, Oltin, i cili nuk kishte dokumentacion dhe frika e saj ishte se mos kjo ishte arsyeja pse ai donte të qëndronte me të.

Gjithçka rezultoi ndryshe, Olti po ndiqte procedurat për t’u pajisur me gjithçka duhej por në një moment situata kthehet përmbys dhe e dërgojnë në Shqipëri. Ngjarja ndodhi në një moment shumë kritik për Silvanën që e përlotur, e rrëfen për herë të parë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.


Silvana: Në atë kohë unë…më falni, nuk ia kam treguar dikujt, isha shtatzënë. Kur ai ishte në Shqipëri, mua më duhej të punoja gati 12 orë në ditë sepse do ndihmoja si bashkëshortin në Shqipëri por më duhej të punoja edhe për të bërë letrat që të rriteshim pak nga ana ekonomike që të bëja bashkim familjar me bashkëshortin. Kam vuajtur sepse në atë kohë sado që isha e lumtur që isha shtatzënë, unë humba edhe fëmijën. Kur doktoresha më tha “e ke nga lodhja, je e stresuar, stresi, depresioni, lodhja sepse punon te 12 orë gati te 18 orë në ditë”, rezultati ishte që fëmija nuk ia doli dot. Është një plagë si për mua, si për bashkëshortin por me fat jam sepse kam dy vajza të bukura tani.

Ardit Gjebrea: Ti ia dole që ta sillje Oltin në Itali?

Silvana: Po. Bëra luftë sepse në atë kohë që Olti ishte në Shqipëri, njerëzit e mi, ca, sepse nuk janë të gjithë njësoj, flisnin, thoshin “ja Silvana me Oltin do ndahen tani se Silvana nuk vjen në Shqipëri”. Aty mua më vinte akoma më urrejtje sepse ata s’e dinin që unë po luftoja për të bërë letrat se nuk më njihnin. As familja ime nuk më njihte sa vuajtje kisha brenda. Vuajta por i bëra edhe letrat. Ai nuk ndenji shumë kohë. Sa mori vizën, në mëngjes mori vizën e mori avionin për të ardhur në Itali.

I rikthyen dashurinë për Shqipërinë, fjalët e ndjera të Silvanës për dy miqtë e saj

Pas shumë herësh që kishte ndihmuar bashkatdhetarët e saj të pajiseshin me dokumentacionin italian, Silvana ishte zhgënjyer shpesh. Episodet e njëpasnjëshme e bënë  ta “urrente Shqipërinë”, u shpreh ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Por takimi me Vilmën dhe Marjanin të cilët drejtojnë një qendër kulturore, “Margarita Xhepa” në qytetin ku jetojnë në Itali, ka shënuar një kthesë në këtë mendim të Silvanës. Për këtë arsye, ajo ka ardhur që t’i surprizojë në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.


Silvana: Ju ftova këtu për t‘ju falenderuar. Marjan, jo vetëm ty, por mësusesit, vullnetarët,  themeluesit e asaj qendrës, por jo vetëm për fëmijët tanë, për ne nënat, për prindërit, për gjyshërit, për gjithë ata njerëz që vijnë në atë qendër që ju e keni bërë shtëpinë e dytë. Ju falenderoj shumë! Ëmbëlsirën e lë për në fund si gjithmonë.

Të falenderoj ty Vilma, ti, Elida dhe Merushja me rastin e sëmundjes time më keni qenë aq pranë sa këtë e prisja veç nga familja ime por ju më keni qenë pranë si motra. Kjo do të thotë që në atë qendër jeni një familje shumë e madhe. Siç e dini unë e urreja Shqipërinë. E di, është një fjalë e rëndë por ju më bëtë që ta adhuroj Shqipërinë.

Tragjedia që solli forcë! Humbja e jetës së fëmijës shqiptar bashkoi zemrat e komunitetit

Marjan dhe Vilma janë themeluesit e qendrës kulturore “Margarita Xhepa” në Asti, Itali. Prej disa vitesh, kjo qendër u mëson shumë fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe, mban gjallë kulturën dhe është një pikë takimi për komunitetin.

Të ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, çifti rrëfen se ideja fillestare nisi me një koncert, por më pas vendosën që do ishte diçka më e madhe. Një tragjedi shënoi edhe themelet e qendrës e cila është ngritur me kontributin e shumë njerëzve.


Marjan:Pastaj ishte një episod tragjik që ndodhi në Asti. Humbi jetën një fëmijë i vogël, ishte shqiptar dhe aty gjetëm edhe forcën, na lindi ideja që vetëm të bashkuar mund të bëjmë diçka.  Edhe pse ishin fillimet tona, ne filluam ato kontaktet me gjithë shoqërinë që kishim për të ndihmuar sado pak, ashtu siç e kemi traditë ne shqiptarët. Unë i pari u gjenda në vështirësi, i thashë të shkojmë në shtëpi, edhe pse nuk i njoh, po sikur të thërras edhe shokë të tjerë? Dhe secili thirri shokët.

Fatkeqësisht, vendi ku u takuam ishte në një bar, një klub sepse nuk kishim vend tjetër ku të takoheshim dhe çdo shqiptar që erdhi aty, me zemër në dorë dha ato që kishte mundësi dhe na dha të kuptojmë që kemi nevojë për një qendër, për një vend ku të takohemi, ku të qajmë hallet tona, ku të gëzohemi, ku të festojmë, por ku të kemi edhe mundësi të ndërrojmë edhe dy fjalë shqip ndaj na lindi ideja, thamë pse mos të bashkohemi, të bashkojmë forcat, t’i bëjmë thirrje komunitetit dhe me sakrifica sepse janë hedhur goxha lekë te një godinë gjithmonë e komunës por që na u dha në shërbimin tonë për ta riparuar dhe për ta vënë në funksion. Aty gjetëm vetveten.

/tvklan.al