E diela Shqiptare – “Shihemi në Gjyq” – Blerës vs trashëgimtarë, kush ka të drejtë? (11 Shkurt 2024)


E diela Shqiptare – “Shihemi në Gjyq” – Blerës vs trashëgimtarë, kush ka të drejtë? (11 Shkurt 2024)

18:20 11/02/2024

#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Mua më ka ikur tepeleku, kësaj fiqiri”, seanca fillon me sulme: Më ke kërcënuar e provokuar!

Seanca e ndërmjetësimit nga “Shihemi në Gjyq” ka nisur me një përplasje mes Eduartit dhe Dorinës. Nga ajo që mësuam nga insertet, është se Eduarti i ka marrë Dorinës një hua borxh. Dorina kërkon të marrë çfarë i përket dhe është e gatshme të gjejë  një zgjidhje  paqësore.

Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani i jep fjalën Eduartit që nxisin reagimet e Dorinës.

Eduart: Mua më ka ikur tepeleku, kësaj avash avash i ikën fiqiri.

Dorina: Mos më fol mua me atë gjuhë ti!

Eduart: Vjen më kërcënon mua zonja Eni.

Dorina: Për çfarë të kam kërcënuar?

Eduart: Më kërcënon mua dhe mos e zgjat më të lutem.

Dorina: Ore qëndro aty!

Eduart: Ti duhet ta kesh për nder që vjen këtu, e kupton?

Dorina: Të lutem ulu atje ku je, mos na nxirr nga korniza e etikës.  Do të krijosh skenën, do këndosh?

Eduart: Do bisedosh me zonjën Eni.

Dorina: Po ulu more atje.

Eduart: Të isha nga ata unë të çoja në polici ty!

Dorina: Kush  je ti për të më çuar mua në polici?

Eduart: Ti më ke provokuar

Dorina: Për çfarë  të kam provokuar?

Eduart: Qepe gojën!

Dorina: Mos më thuaj mua qepe gojën se s’je në moshën time që të të kundërvihem, të lutem. Shko atje njëherë, shko. E shijove skenën.

Eduart: Ti s’ke punë në pronën time!

Dorina: Prona është e imja, është e imja se ke pranuar lekët!

Eduart: Rri në atë tënden, ato që t’i kam do t’i jap.

Dorina: Kur do mi japësh? Kur?

Eduart: Po deshe rri, qepe gojën!

“Lekët ia kam kërkuar me respekt”, Gjebrea-Dorinës: Me respekt, duhet të presësh

Dorina ka 4 vjet që pret Eduartin t’i shesë banesën e tij. Bëhet fjalë për një hapësirë rreth 30 metra katrorë me vlerë 25 milionë lekë. Për shkak të sëmundjes së bashkëshortes, Eduarti i mori fillimisht 10 milionë Dorinës dhe ranë dakord që pjesa tjetër e pagesës të bëhej pas marrjes së pronës.

Por sot ata kanë ardhur në “Shihemi në Gjyq” sepse banesa nuk ka kaluar te Dorina. Bashkëshortja e Eduartit ndërroi jetë në  vitin 2021 dhe duke qenë se çifti nuk ka fëmijë, gjysma e saj ndahet mes të afërmve. Kjo sjell konfliktin mes tyre në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan sepse Eduarti nuk ka bërë procedurat e nevojshme  që të përfundojë shitja e banesës.

Dorina: 4 vite rri lexon gazetë qetësisht ky dhe vjen tek unë, “më duhen edhe ca lekë”, ore ke bërë ndonjë letër ti se kemi ngelur kështu? Ti që po vjen e kërkon dhe unë s’kam marrë asgjë. “Po s’ka problem”.

Eduart: Fjala vjen se tani…

Dorina: Ti do t’i marrësh sigurisht, por pasi të marr unë dokumentin tim, patjetër.

Ardit Gjebrea: Më shiko pak, ti kur ke nevojë i kërkon para asaj apo jo?

Eduart: Ia kam kërkuar, me respekt se dhe ajo e di muhabetin.

Ardit Gjebrea: Edhe ajo me respekt t’i ka dhënë, ti ia ke kërkuar me respekt dhe ajo t’i ka dhënë me respekt.

Dorina: Po ai respekti im a do vijë ndonjë ditë te unë tani? 10 milionë lekë, a do vijë respekti mbrapsht?

Ardit Gjebrea: Ti ia ke kërkuar me respekt dhe ajo t’i ka dhënë me respekt.

Eduart: Edhe unë…  unë nuk është se ia mohova.

Eni Çobani: Po mirë nuk ia mohove, por i ke dhënë gjë?

Eduart: Kjo do binanë, nuk do lekët, do binanë.

Dorina: Po për çfarë t’i dhashë ato lekë unë?

Ardit Gjebrea: Ti 15 milionë lekët e vjetra do ia japësh binanë?

Eduart: Kur të më japë mua edhe 15 milionë kjo, do i jap binanë.

Ardit Gjebrea: Po në atë bina janë edhe kunatat e tua.

Eduart: Në atë… po le të presë kjo zonja.

Ardit Gjebrea: Dorina, me respekt duhet të presësh.

Dorina: Po ça respekti…

“Do lekë ti?”, Eduarti ‘zgjidh’ konfliktin me Dorinën: Më gjej një grua me prona…

Pjesa e dytë e “Shihemi në Gjyq” ka nisur me një situatë gazmore. Pavarësisht situatës konfliktuale, Eduarti nuk i kursen disa deklarata që shkaktojnë të qeshura. Ai i thotë Dorinës se do t’i marrë paratë nëse ajo i gjen atij një grua të pasur.

Eduart: Çlodhu pak çlodhu!

Ardit Gjebrea: Pse të çlodhet?

Eduart: Të çlodhet pak se u lodh. I ka ikur fiqiri asaj.

Dorina: Ta tregoj fiqirin unë ty!

Eduart: I ka ikur fiqiri, mua më ka ikur tepeleku me kohë! Kësaj po i ikën fiqiri!

Ardit Gjebrea: Po nuk është se është miliardere ajo.

Eduart: Po çfarë jam unë? Milioner?

Ardit Gjebrea: Po edhe ti…

Eduart: Edhe unë s’jam milioner. Nga kjo, pak e pak e u bënë ato.

Dorina: Pak e pak e mbushe ti, u bënë kështu ato.

Eduart: Edhe unë s’ia mohoj asaj. Bëhet muhabeti këtu, jepja dhe atyre…

Ardit Gjebrea: E si si është këjo puna? Unë do të ta jap nusen, por është pak shtatzënë.

Eduart: Dëgjo mirë, se ma çove në mendje. Nëse nuk bëhet ky muhabet…

Dorina: Do bëhet se erdhe këtu ti!

Eduart: Zonjë, do lekë ti? Do borxhin?

Dorina: Po hajde merri ti nesër te puna.

Eduart: Ta jap unë borxhin, më gjej një grua me prona, shes ato  pronat e asaj unë dhe të t’i jap ty.

Dorina ka 4 vjet që pret Eduartin t’i shesë banesën e tij me çmimin 25 milionë lekë. Eduarti i mori fillimisht 10 milionë sepse i nevojiteshin për sëmundjen e bashkëshortes. Pasi ajo ndërroi jetë, gjysma e pjesës së saj të banesës u ka kaluar familjarëve. Kjo mban peng Dorinën dhe Eduartin që nuk ka arritur të zgjidhë situatën

“Do ta ngalasësh?”, Gjebrea pajton Eduartin dhe Dorinën në mënyrën më të bukur

Eduarti dhe Dorina arritën ta gjejnë gjuhën e përbashkët përmes ndërmjetësimit në “Shihemi në Gjyq”. Ai ra dakord që të ndjekë procedurat e nevojshme duke filluar me rinovimin e certifikatës së pronësisë dhe më pas, të përpiqet të bindë familjarët e bashkëshortes së ndjerë që të bien dakord që pjesa e saj e banesës me sipërfaqe 30 metra katrorë, t’i mbetet atij.

Kjo do të sillte përfundimin e shitjes së banesës te Dorina, e cila i ka dhënë Eduartit 10 milionë lekë nga 25 që kanë rënë dakord. Gjatë rrëfimit për marrëdhënien e tij me bashkëshorten e ndjerë, ai thotë se “as një ngalasje nuk mban mend”. Kjo fjalë dialektore ‘ngacmon’ moderatorin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrean që ‘vulos’ pajtimin e palëve.

Ardit Gjebrea: Më pëlqeu ajo fjala “ngalasje”.

Eni Çobani: Gjirokastrit pra.

Ardit Gjebrea: Se e kam dëgjuar nga gjyshja ime. Do ta ngalasësh Dorinën?

Eduart: Jo tamam, t’i jap dorën.

Eni Çobani: Po patjetër.

Eduarti i jep dorën dhe përqafon Dorinën.

Ardit Gjebrea: E ngalasi Dorinën!/tvklan.al









Të ngjashme