“Historia ime” solli sot një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2001 në fshatin Vërzez të Poliçanit. Mjaftoni Spahiu ka rrëfyer në studio ngjarjen, si pasojë e së cilës bashkëshorti i saj, Fatmir Spahiu, nuk jeton më. Gjithçka ndodhi si pasojë e një konflikti për ujë të pijshëm, me banorët e fshatit ngjitur. Situata tensionohet më shumë për shkak se ai arrestohet nga policia, por pas daljes nga burgu shfaq një sjellje jo të mirë dhe gjithashtu fillon të mbajë edhe bombë me vete.

Sipas bashkëshortes së tij, në një përballje me policinë, ai hedh njërën prej bombave dhe pastaj përndiqet nga policia, e cila organizon një operacion për kapjen e tij sepse e konsiderojnë si një terrorist. Nga përballja me policinë, Fatmiri ndërron jetë dhe policia në versionin e saj thotë se ai është vetëvrarë, ndërsa Mjaftoni ka dyshime të forta se bashkëshorti i saj i ndjerë nuk është vetvrarë, por është vrarë nga policia.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi pasi policia e ndjek?

Mjaftoni Spahiu: E rrethuan ata, edhe me avion ishin atë ditë, se e quajtën terrorist…

Mirela Milori: Ai bënte qëndresë? Godiste me armë zjarri ose me bomba?

Mjaftoni Spahiu: Jo, jo nuk shtiu fare!

Mirela Milori: Ti e takove atë ditë përsëri?

Mjaftoni Spahiu: E takova, më solli lekët mua dhe pastaj iku, s’e takova më?

Mirela Milori: Por ndërkohë kërkohej nga policia kur të solli lekët?

Mjaftoni Spahiu: Policia ishte vërdallë, por jo aty afër!

Mirela Milori: Çfarë ndodhi këtu?

Mjaftoni Spahiu: Aty pastaj e qëlluan lart ata, kur vajta unë pastaj vetëm këtë dëgjova: E vrave? Të lumtë dora që e vrave, tha një polic atje.

Mirela Milori: Sa kohë vazhdoi operacioni policisë?

Mjaftoni Spahiu: As gjysmë ore!

Mirela Milori: Në fakt policia thotë që ka qenë vetëvrasje dhe versioni është që ka qenë një akt terrorist?

Mjaftoni Spahiu: E quajti policia terrorist, por nuk ishte, ata nuk vrisnin pulë, jo të vrisnin njerëz?

Mirela Milori: Çfarë deklaratash more ti nga fshati atë ditë?

Mjaftoni Spahiu: Që e vrau policia!

Mirela Milori: I dhanë me shkrim ata këto deklarata?

Mjaftoni Spahiu: Po!

Mirela Milori: Ti e kërkove të drejtën?

Mjaftoni Spahiu: Vajta për të kërkuar rrobet pastaj, s’mi dhanë. Pastaj doja ndihmë për çupat dhe më thanë edhe ata njerëzit e burrit firmose vetëvrasje. U detyrova pastaj.

Mirela Milori: E ke firmosur që ishte vetëvrasje?

Mjaftoni Spahiu: E firmosa se doja ndihmë për çupat!

Mirela Milori: Çfarë kanë parë bashkëfshatarët e tu? Cili ishte versioni i tyre për ngjarjen?

Mjaftoni Spahiu: Ata panë luftë me sy atë ditë. Çfarë bëhet kështu thanë ata, edhe sikur të kishte vrarë ai kështu jo, me avionë me…

Mirela Milori: Ti ke dyshimet e tua që nuk është vetvrasje?

Mjaftoni Spahiu: Nuk është vetëvrasje me 100%, nuk është. Se e dëgjova me veshët e mi, kur tha e vrave. Pastaj nuk më dhanë as rrobat e tij, se do ta nxirrja të vërtetën pastaj me anë të rrobave./tvklan.al