Edhe Britania në shtetrrethim

Edhe Britania në shtetrrethim

12:00 24/03/2020

1 miliard njerëz të izoluar në 50 shtete

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka marrë masa drastike duke mbyllur në shtëpi të gjithë britanikët pas përhapjes me ritme të shpejta të koronavirusit. Përpara popullit ai mbajti një konferencë të jashtëzakonshme, ku deklaroi se përveç dyqaneve ushqimore dhe farmacitë që do të qëndrojnë të hapura, të tjerat, si lokalet, bibliotekat, sheshet e lojërave, palestrat, kinematë dhe teatrot do të mbyllen.

Johnson theksoi se do të ndalohen grumbullimi i njerëzve më shumë se dy personave në publik, duke përjashtuar njerëz të familjes. Ai shtoi se do të ndalohen të gjitha ngjarjet të tilla si dasmat, pagëzimet dhe ceremonitë e tjera, por jo funeralet.

Njerëzit në Britani do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për të blerë produktet më të rëndësishme. Dalja nga shtëpia do të bëhet për çdo nevojë mjekësore. Kreu i Britanisë u shpreh se nëse njerëzit nuk binden do të gjobiten. Të gjitha këto masa do të zgjasin për rreth 3 javë.

Situatë e rëndë mbetet edhe në Spanjë, ku numri i viktimave u rrit me 467 persona në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e tyre në afro 2316. Të infektuarit kanë arritur në mbi 35 mijë. Spitalet në Madrid janë tejmbushur dhe pacientët presin të shtrirë në pllaka.

Gjermania po prek shifrën e 30 mijë të infektuar nga Covid-19 kurse numri i vdekjeve nga infeksioni ka shkuar në 123. Kancelarja gjermane Angela Merkel rezultoi negative ndaj testit të parë për koronavirus, një ditë pasi u vendos në karantinë pas takimit me mjekun e saj personal i cili doli pozitiv.

Italia shënoi sërish një shifër më të ulët të vdekjeve dhe infektimeve. Në 24 orët e fundit humbën jetën 602 persona mes tyre edhe 21 mjekë, duke e çuar në 6077 numrin e përgjithshëm. Gjithashtu edhe Lombardia, zona më e prekur dhe vatra e epidemisë ne Itali ka shënuar ulje të numrit të vikamave dhe rasteve të infektuara gjatë 24 orëve të fundit. Numri ditor i të vdekurve është në rënie për të dytën ditë radhazi pas të shtunës kur u shënuan prej 793 viktimash në një ditë. Totali i të prekurve tejkaloi 50 mijëshin.

Në Greqi numërohen 71 raste të reja infektimesh në 24 orë, 695 në total, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 18.  Franca ka regjistruar mbi 20 000 të infektuar për një total vdekjesh 860. Në vend nuk mund të dalësh pa autorizimin përkatës dhe nëse shkel rregullat gjobitesh me 300 deri në 1000 euro.

Mbi 23 000 raste infeksioni janë regjistruar në Iran ku numri i viktimave vazhdon të rritet me ritme të shpejta dhe deri tani janë regjistruar më shumë se 1800.

Një ditë më parë OBSH deklaroi se ritmi i rritjes së pandemisë është në ngritje, pavarësisht se aktualisht janë të izoluar 1 miliard njerëz në 50 vende të ndryshme të botës.

Në Kinë, për të katërtën ditë radhazi nuk ka asnjë infektim të ri brenda vendit, ndërsa masat e ashpra të kufizimit të lëvizjeve janë ende në fuqi. Provinca Hubei e cila ishte epiqendra e shpërthimit të koronavirusit po planifikon të heqë gati të gjitha kufizimet e bllokimit në 8 prill.

I gjithë globi numëron mbi 16 585 viktima e afro 383 mijë të infektuar prej fillimit të përhapjes, mes të cilëve rreth 28% janë shëruar.

Klan Plus




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi