Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokratike me anë të zëdhënësit të saj Edi Paloka, ka dënuar ashpër aktet e vandalizmit të kryera në disa rrugë kryesore të kryeqytetit, të bëra publike dje nga drejtori i drejtorisë së përgjithshme nr.1 të punëtorëve të qytetit në Bashkinë e Tiranës, Afrim Qendro.

Paloka ka deklaruar përpara gazetarëve, se PD do t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme, të nis hetimin për prerjen e pemëve në rrugën e “Kavajës”, të cilat sipas Palokës, janë bërë në prani të policisë së objekteve dhe policisë së rendit, pasi janë prerë vetëm disa metra që ruan Ministrinë e Emigracionit.

Edi Paloka:- “Partia Demokratike, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë, nëse ky akt kishte si qëllim të mbulonte me zhurmë mediatike skandalin e vjedhjes dhe shpërdorimit që janë bërë në këtë rrugë, si shpenzimin prej 1 milion lekësh për metër rrugë dhe 400 mijë lekë për të prerë një pemë, si dhe për mijëra dollarë të tjerë për të mbjellë pemë të tjera”.

Paloka ka thënë mes të tjerash, se prononcimi i drejtorit Qendro është bërë pikërisht në të njëjtën ditë, kur komisioni Rama, kishte njoftuar për paraqitjen e dosjes së abuzimit në rikonstruktimin e rrugës së Kavajës, që sipas tij është bërë me një çmim 1 milion për metër, pra me një çmim dy here më të lartë se autostrada Tiranë-Vorë.

Qendro pas prononcimit të djeshëm, ku pasi bëri publike dëmet e shkaktuar në disa rrugë të kryeqytetit nga persona të papërgjegjshëm, deklaroi se prej disa ditësh, ai dhe drejtorë të tjerë të bashkisë, po merrnin telefonata kërcënuese nga persona anonim, për të mos punuar më për Edi Ramën./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka