Titujt kryesorë, 24 Mars ora 19:30

Kukës, arrestohet pas 14 orësh vrasësi i dy policëve

14 orë pas krimit, policia arrestoi të fshehur në pyjet e zonës së Shemrisë, Afrim Hajdarin, vrasësin e dy policëve në detyrë, me të cilët ishte përfshirë në një konflikt pak ditë më parë.

Nis nesër procesi i aplikimit për pasaportat biometrike

Prej ditës së nesërme qytetarët e Tiranës do të mund të aplikojnë edhe për pasaportat biometrike. Ky dokument, me elementë të lartë sigurie, është një prej kushteve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

10 vjetori i sulmit ndaj Serbisë, Kosova: “Thank you NATO”

Kosova kujton sot 10 vjetorin e sulmit ajror të NATO-s ndaj Serbisë, e cila kishte përshkallëzuar masakrën dhe genocidin ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Por serbët e cilësojnë këtë si ditë zie.

Paralajmerimi i FMN: Kriza mund të çojë botën në luftë

Fondi Ndërkombëtar Monetar paralajmëron se kriza ekonomike mund të zhysë miliona njerëz në varfëri dhe se vendet në zhvillim do të kenë një rritje dramatike të papunësisë, çka mund ta çojë botën në luftë.

Kapiteni Lala: Do hakmerremi ndaj Hungarisë

Shqipëria pret të shtunën Hungarinë në ndeshjen e radhës për Botërorin 2010. Kapiteni Lala kërkon angazhimin e të gjithë ekipit për t’u hakmarrë ndaj hungarezëve, që ndeshjen e parë fituan 2 me 0.

Edicioni i lajmeve Tv Klan  – 24 Mars 2009, ora 19:30 – Spikere: Sonila Meço