“Eja n’shpinë tënde”, vlerësohen gazetarë e këngëtarë që kanë promovuar turizmin në Shqipëri




“Eja n’shpinë tënde”, vlerësohen gazetarë e këngëtarë që kanë promovuar turizmin në Shqipëri

20:34 14/06/2021

Përpara disa ditësh në zemër të Tiranës u organizua një aktivitet nga Unioni i Komunave dhe Bashkive Shqiptare në Rajon, i titulluar “Eja në Shtëpinë Tënde”. Aktiviteti i zhvilluar për të dytin vit radhazi çeli sezonin turistik në 17 bashki shqipfolëse. Data përkoi edhe me datën e Lidhjes së Prizrenit, një datë speciale për turizmin 365 ditor.

Organizimi mblodhi kryetarët e bashkive e të komunave dhe personalitete të njohura për publikun që dhanë mesazhe të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Lajmi i mirë është…para pesë ditësh kam qenë në Beograd dhe në takim me ministren që mbulon turizmin dhe infrastrukturën, më tha që në agjencitë turistike sot në Beograd, përtej Greqisë si ofertë e parë, Shqipëria është vendi i dytë që serbët duan të vizitojnë. Ndaj, uroj që të kemi një verë sa më të mbarë, me shi, pa shi, pak rëndësi ka, por të kemi sa më shumë vizitorë në Shqipëri dhe në trojet shqiptare”, tha Majlinda Bregu.

Shërbimi “Roaming” do të jetë falas për 20 ditë në të gjitha vendet e rajonit tonë. Gjithashtu, në fokus është eksplorimi i të gjitha formave të turizmit, si ngritja e “Fan Zone” për të parë ndeshjet e futbollit.

Nisma ka qëllimin e promovimit të Shqipërisë, qyteteve të vogla dhe një formë çlodhjeje edhe për vetë qytetarët.

Një simbol mirënjohjeje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu dhurua emisionit “Rudina” nga autorja dhe moderatorja Rudina Magjistari për mbështetjen dhe hapësirën ndaj turizmit.

Emra të tjerë që u vlerësuan me këtë çmim ishin Sabri Fejzullahu, Emina Cunmulaj, grupi Elita 5 dhe moderatorja Orinda Huta. Të gjithë u shprehën të lumtur për të qenurit promotorë në këtë aktivitet që synon zhvillimin e turizmit rajonal.

Eventi u plotësua me muzikë dhe interpretime nga Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha, ndërsa u përdorën elementë të trashëgimisë kulturore dhe gatime e produkte tradicionale. /tvklan.al





Të ngjashme