Rigjallërohet industria, tekstilet e mineralet në rënie

Eksportet e mallrave shqiptare rezultojnë të jenë rritur në muajin Shtator, për herë të parë që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë.

Sipas Institutit të Statistikave rritja është në nivelin 1.2% krahasuar me Shtatorin e vitit të kaluar, por duke thyer kështu rënien dyshifrore të shitjeve jashtë të kompanive në vendin tonë që i ka goditur në 5 muajt e fundit.

Peshën më të madhe në eksport e kanë patur makineritë dhe pajisjet, kjo për shkak të nisjes së rigjallërimit të kompanive në Shqipëri në fushën e industrisë, por dhe rritjes së kërkesës për këto mallra nga jashtë.

Pas disa muajve me rënie të konsiderueshme dhe sektori i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rritur shitjet në Shtator, ndërsa tekstilet, këpucët dhe mineralet vijojnë të shënojnë rënie.

Edhe importet rezultojnë në nivele të krahasueshme me një vit më parë, duke u rritur lehtë me 0.3% e duke shtuar sinjalet për rritjen e kërkesës konsumatore në vend. Si 9-mujor tkurrja e eksporteve është në nivelin 13.6%, ndërsa importet kanë rënë në të gjithë muajt e vitit me 10.9%.

Tv Klan