Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfitimi” janë arrestuar 2 persona të cilët morën peng një 68-vjeçar në Elbasan.

Ka qenë 68-vjeçari ai që ka kallëzuar në polici se për motive të dobëta 2 persona e kishin marrë peng për disa minuta në një makinë, si dhe ishte kanosur me qëllim dhënien e një shume parash.

Pas kallëzimit të tij, policia ka identifikuar dhe vënë në pranga autorët e dyshuar të rastit, 57-vjeçarin me iniciale R.K., banues në Peqin dhe 47-vjeçaren me iniciale P.S., banuese në Belsh.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”./tvklan.al