“S’ka më as kufij fizikë dhe as mendorë mes nesh”

Kryeministri Edi Rama ndodhet prej dy ditësh në Itali në zonën e Puglia-s për të përkujtuar eksodin që shënjoi nisjen e emigracionit në Shqipëri pas diktaturës komuniste.

Kreu i qeverisë tha se mes Shqipërisë dhe Italisë potenciali i bashkëpunimit mes njëra-tjetrës është ende shumë i madh. Rama u ndal tek dy çështje, arsimi dhe burimet ujore.

Sa i përket edukimit të brezave të rinj, shefi i qeverisë shqiptare tregoi ëndrrën e tij që në Vlorë të vijë një universitetet i njohur puljez ku të mund të studiojnë shqiptarë, por edhe italianë. Po ashtu, ai deklaroi se po vijohet bashkëpunimi për burimet ujore. Kësaj çështjeje sipas kreut të qeverisë i duhet dhënë një shtysë tjetër.

“Unë mendoj se kemi ende për të bërë, potenciali i bashkëpunimit i zhvillimit apo i shtytjes për të ecur përpara është mjaft i madh. Ne mund të shkojmë përtej, më larg, duke u përpjekur për të bashkuar frymën tonë. S’ka më as kufij fizik dhe as kufij mendorë, janë gjithmonë e më shumë italianët që vijnë në Shqipëri, janë gjithmonë e më të shumtë ata janë të interesuar që të investojnë në Shqipëri. Ne jemi gjithmonë e më shumë të interesuar që të bëhemi pjesë e kësaj pjese në kuptimin jo vetëm të së ardhmes së përbashkët, por edhe të një të ardhmeje të tanishme. Besoj se duhet të kemi guximin që të ecim përtej. Ka një potencial të madh në mundësinë e krijimit të strukturave të përbashkëta të edukimit, arsimimit, universiteteve, të Puglia-s që shumë mirë mund të ngrihen në Shqipëri duke u bërë pjesë e sistemit publik shqiptar. Është një ëndërr e vjetër kjo që të shndërrojmë universitetin e Vlorës në një universitet të sistemit publik italian dhe në mënyrë të veçantë universitetit publik puljez. E dimë shumë mirë që ju keni universitete ekselence në Puglia dhe shumë studentë shqiptarë studiojnë këtu, por do të ishte mirë që një prej këtyre universiteteve të ishte në Vlorë, për dyer të hapura për studentë shqiptarë dhe italianë dhe një diplomë universitare të njëjtë e identike me ato që jepet në universitetet puljeze.  Ne po bashkëpunojmë që të krijojmë lidhje për burimet ujore Itali-Shqipëri. Mendoj se duhet t’i japim një shtysë më tej idesë, pasi nuk është se nuk kushton. Shqipëria prodhon gati 100 % energji të gjelbër. E gjitha pothuajse tani për tani është e bazuar tek sistemi ujor”, tha Rama.

Si dhuratë, kreu i qeverisë në këtë takim mori një pikturë. Në shenjë falenderimi, Rama u ofrua falas që të ngjyrosë murin e godinës, të cilën autoritetet vendore në Bari do të ngrenë për të përkujtuar eksodin shqiptar.

“Jam i nderuar dhe shumë i dashur kryetar i bashkisë që t’i përcillni nderimet më të ngrohta artistit që më bëri këtë dhuratë. Ofrohem falas që të ngjyros murin e asaj godine edhe pse besoj pa bukë nuk do të më lini,” u shpreh Rama./tvklan.al