Austriakët duan të befasojnë ekipin që nuk humbet prej 30 ndeshjesh

Italia do të luajë me Austrinë sot në orën 21:00 në Wembley, aty ku më 11 Korrik do të zhvillohet finalja e Europianit. Dëshira për t’u kthyer në këtë stadium për Roberto Mancini është e madhe. Mancini nuk nënvlerëson kundërshtarin, por ka besim te secili te lojtarët e tij.

“Jemi të qetë, pasi kemi lojtarë të zotë dhe kushdo që të zbresë në fushë do të bëjë atë që ka bërë deri më sot. Duhet të zhvillojmë një ndeshje të mirë, pasi kundërshtarët kanë cilësi dhe janë agresivë në lojën e tyre”, tha Mancini.

Përfaqësuesja italiane nuk humbet prej 30 takimesh, por austriakët duan ta ndalin këtë ecuri pozitive edhe pse janë më pak favoritë për të kaluar në çerekfinale.

“Italia sulmon shumë shpejt kur e merr topin. E dimë që kemi pak mundësi të kalojmë turin, por mund të arrish shumë në jetë me pak shans. Kur vjen në fazën e 1/8 dëshiron të shkosh në çerekfinale. Ne jemi të vendosur të shkojmë më tej”.

Fituesi i Itali-Austri do të presë të kualifikuarin e takimit Belgjikë-Portugali që do të luhet nesër. Sot në orën 18:00 do të luhet Uells-Danimarkë në Amsterdam. Takimet e fazës së 1/8 do të zgjasin deri më 29 Qershor.

Tv Klan