“Gjë e mirë mbledhja e Këshillit Politik”

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, ka përshëndetur vendimin e partive shqiptare për t’iu rikthyer edhe njëherë Këshillit Politik, për të diskutuar ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe koalicionet parazgjedhore.

“Gjë e mirë që Këshilli Politik do të diskutojë ndryshimet e propozuara për sistemin elektoral. Gjithëpërfshirja është mënyra e duhur për të ecur përpara në çështjet elektorale”, shkruan Varhelyi në Twitter.

Megjithatë eurokomisioneri thotë se marrëveshja e arritur më 5 Qershor duhet të miratohet pa ndryshime në Kuvend. Për Varhelyi-n, ajo është një prej kushteve kyçe për çeljen e negociatave me BE-në.

“Është thelbësore që Marrëveshja e 5 Qershorit të mos ndryshohet dhe të votohet në ligj sa më shpejt, pasi përbën një prej kushteve kyçe për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE”, shkruan Varhelyi.

Opozita jashtëparlamentare dhe mazhoranca do të takohen javën e ardhshme në Këshillin Politik për të diskutuar ndryshimet kushtetuese. Pjesë e takimit do të jetë edhe kryeministri Rama ndërkohë në radhët e opozitës do të paraqitet sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Opozita jashtëparlamentare ka dalë kundër ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave dhe koalicionet pasi thotë që kjo prish marrëveshjen e arritur me 5 Qershor. Ndërkohë kryeministri Rama ka deklaruar se marrëveshja e arritur në fillim të Qershorit mes palëve për Reformën Zgjedhore nuk do të preket./tvklan.al