Euroskeptikët triumfojnë në Itali



Euroskeptikët triumfojnë në Itali

15:35 05/03/2018

Në Itali euroskeptikët populistë triumfuan në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Motiv të fortë për të festuar ka Lëvizja 5 Yjet që u rendit forcë e parë politike me mbi 32% të votave.

Megjithatë shumicën e votave e ka koalicioni i qendrës së djathtë me mbi 37%, 3% larg shumicës qeverisëse. Por forca kryesore e këtij grupimi ka dalë Lega Nord që në shkallë kombëtare renditet e treta dhe jo Forca Italia e Silvio Berluskonit sikundër pritej. Vetë Salvini foli në konferencën për shtyp si kryeministër i ardhshëm.

“Lega fitoi brenda koalicionit të qendrës së djathtë dhe do të qëndrojë në krye të tij. Qeveria na takon neve të qendrës së djathtë. Pushteti tani do të jetë në duart e italianëve, as në duart e bankave, as në duart e bursave, as Berlinit, as Parisit”, tha Mateo Salvini, Drejtues i Lega Nord.

Disfatë për qendrën e majtë. Partia Demokratike në pushtet prej 2013-ës pësoi rënie të elektoratit nën 19%, 10% më pak se në 5 vite më parë. Mateo Renci ka lajmëruar një dalje për mediat në orën 17:00 ku flitet se do të japë dorëheqjen.

Atij i atribuohet humbja, pas dështimit të nismës së tij të referendumit kushtetues të 2016-ës, kur opinioni publik e akuzoi se kërkonte të përqendronte gjithë pushtetin në duart e tij. Reagimi i parë nga partneret europianë ishte ai i zëdhënësit të kancelares Merkel, i cili uron krijimin e një qeverie në të mirë të Italisë dhe Europës.

Tv Klan







Të ngjashme