Triumf i Lëvizjes 5 Yjet në Itali. Exit pollet e nxjerrin forcë të parë me rreth 32%. Qendra e djathtë e Silvio Berluskonit rënditet e dyta me mbi 28 % ndërsa si koalicion nxirret fitues me 38% koalicioni mes populistëve të Forca Italias dhe nacionalistëve të Lega Nord. E dyta renditet Lëvizja 5 Yjet, ndërsa në vend të tretë qendra e majtë aktualisht në pushtet. 

Rezultati pritet të qartësohet të hënën. Nuk kanë qenë të pakta parregullsitë gjatë procesit, për shkak edhe të rregullave të reja tepër të komplikuara. Krerët e qendrave të votimit kishin rolin kyç, të marrjes në dorëzim të çdo fletëve pas përzgjedhjes sekrete që bënte votuesi, verifikimin e numrit serial që synonte shmangien e ndikimeve nga palë të treta, kryesisht nga klanet mafioze e deri hedhjen e tyre në kuti. Procedurat e komplikuara kanë ngatërruar vetë drejtuesit e qendrave të votimit, të cilët në shumë raste i kanë bërë të pavlefshme votat. Ato kanë shkaktuar edhe radhë të gjata pritjeje.

Ish-kryeministri Silvio Berluskoni u përball me një surprizë kur shkoi të votonte në Milano. Një aktiviste e lëvizjes Femen, u hodh top-less mbi tavolinën e komisionit duke i bërtitur 81-vjeçarit që në të kaluarën është vënë në qendër të skandaleve seksuale, se i kishte mbaruar koha.

Sipas ligjit të ri zgjedhor, për formimin e qeverisë duhet një shumicë prej 40%. Analistët parashikojnë koalicione pas-zgjedhore ku nuk përjashtohet një koalicion mes Forca Italias së Berluskonit dhe Demokratëve të Mateo Renzit, i cili si kusht ka mospërfshirjen në qeveri të Lega Nordit, partner i qendrës së djathtë.

Tv Klan