Në mbyllje të fazës së dytë të regjistrimeve në universitete janë regjistruar rreth 8 mijë kandidatë të shpallur fitues. Në degën e mjekësisë janë ezuruar të gjitha kuotat ndërkohë që në degën e arkitekturës deri në këto momente janë ezauruar 90 % të kuotave.

Interesi i të rinjve për tu regjistruar në degën e mjekësisë së përgjithshme ka qenë shumë i lartë. Në fazën e parë 48- orësh janë regjistruar mbi 95% e kandidatëve  të shpallur fitues, ndërsa në fazën e dytë u plotësuan dhe ato pak kuota të mbetura bosh, duke shuar shpresat e atyre që ishin poshtë vijës së kuqe.

Në total dega e mjekësisë së përgjithshme në universitetin e mjekësisë Tiranë, ka 436 kuota pranimi.

Interes i lartë mbetet në të gjitha degët që janë me konkurs, përfshi edhe arkitekturën dhe urbanistikën ku janë ezauruar rreth 90% e kuotave. Po ashtu të dhënat nga sistemi u-Albania tregojnë se regjistrime të larta ka dhe në degën e informatikës.

Ndërkohë që për disa degë të tjera që janë më pak të preferuara nga maturantët, siç janë degët e mësuesisë dhe të bujqësisë Interesi për tu regjistruar nis kryesisht pas fazës së tretë, e cila do të mbyllet më 3dhe 4 Shtator.

Ndërkohë që data 5 Shtator nuk do të ketë regjistrime pasi është shenjtërimi i “Nënë Terezës”, dhe do të vijojnë më pas, duke nisur nga data 6 deri më 13 Shtator që është dhe dita e fundit. Përgjatë çdo faze 48-orësh vija e kuqe spostohet, duke u dhënë mundësinë maturantëve që ende nuk janë shpallur fitues. 

Klan News