Pacientë të intubuar presin nga 2-10 ditë për një vend të lirë

Kriza ku i ka futur koronavirusi spitalet greke vijon të thellohet. Të shtruarit në gjendje të rëndë në pavionet e terapisë intensive  në shkallë kombëtare prekën një rekord të ri 24-orëshin e fundit me 841 të shtruar.

Më alarmante situata paraqitet në spitalet e dy qyteteve kryesorë të vendit Athinës dhe Selanikut. Në këtë të fundit, në fundjavë u ezauruan të gjitha kapacitetet në këto pavione pasi u zunë të 18 shtretërit, siç shkruajnë mediat greke.

Autoritetet kanë kërkuar ndihmën e spitaleve ushtarake, atyre privatë dhe mjekëve vullnetarë, duke ndjekur shembullin e Athinës, ku terapia intensive po punon me kapacitete shtesë. Spitalet shtetërore i kanë ezauruar 700 shtretërit në dispozicion që në fund të Shkurtit.

Situata është aq e rëndë sa mediat greke shkruajnë se nga mbingarkesa, të paktën 60 pacientë të intubuar qëndrojnë në pritje jashtë pavioneve të terapisë intensive. Gjysma e tyre kanë nga 2 deri në 10 ditë që u është shënuar emri në listat e pritjeve.

Edhe pse shifrat e dy ditëve të fundit janë në rënie, vendi ndodhet në kulmin e valës së tretë të përhapjes së Covid-19. Javën e kaluar infektimet ditore arritën pranë rekordeve me mbi 4 mijë raste.

Tv Klan