Arrestohen punonjës të agjencive turistike dhe 2 mjekë

Dy mjekë, disa punonjës të agjencive turistike dhe persona të tjerë janë arrestuar nga policia pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin falsifikonin teste të Covid kundrejt pagesës. Hetimet nisën kur drejtuesi i një prej laboratorëve në Tiranë kishte marrë sinjalizime se ishte falsifikuar fleta e analizave të testit të Covid-19 me logon e laboratorit të tij duke i vendosur barkod dhe të dhëna të rreme.

Informacioni për këtë veprimtari që dëmtonte imazhin e biznesit të tij i kishte ardhur edhe nga policitë e vendeve të Bashkimit Europian, të cilat kishin zbuluar udhëtarë me fletë analizash të falsifikuara me emrin e këtij laboratori.

Madje një prej qytetarëve që kishte në dorë një tampon të falsifikuar ishte drejtuar për në laboratorin në fjalë, duke kërkuar që të ndryshonte të dhënat personale, me pretendimin se ato ishin gabim.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se pas denoncimit, policia zbuloi se personi që kryente falsifikimet ishte Ronald Karrica. Ky kishte një dyqan me fotokopje dhe printime në rrugën “Zihni Sako” në Tiranë. Në kontrollin e befasishëm që u krye në ambientet e biznesit të tij u gjetën fletë të analizave të paplotësuara me logon e laboratorit, ndërsa në celularin e tij ishin të regjistruara bisedat për porositë dhe çmimin e testeve të falsifikuara.

Në njerën prej këtyre bisedave ku ai bisedon me punonjës të agjencive turistike zbulohet se çmimet për tamponët e falsifikuar varionin nga 25 në 35 euro. Si mjekët ashtu edhe punonjësit e agjencive turistike, pasi kontaktonin me udhëtarë që do të niseshin jashtë vendit, porosisnin testet e falsifikuara që ishin gati për pak orë dhe mundësonin udhëtimin e blerësve jashtë vendit. Pasi ka zbuluar bisedat, prokuroria ka bërë ndalimin e 15 personave të cilët akuzohen për bashkëpunim në falsifikimin e dokumenteve.

Tv Klan