Të afërmit e Aldison Belulajt, 23-vjeçarit që vrau studenten e Juridikut, Ariela Murati dhe më pas qëlloi veten, shpresojnë që ngjarja të mos shërbejë si akt për hakmarrje të mëtejshme. Këtë e pohon kushëriri i Aldisonit.

“Ne as nuk kemi gjë dhe as duam të kenë gjë, janë gjëra të jetës që mund të ndodhin edhe në një çift. Të dy ata që deshën njëri-tjetrin dhe ishin për martesë, u ndanë nga jeta.”

Një javë para ngjarjes, 23-vjeçari kishte deklaruar qëllimin e tij në prani të kushërinjve të vajzës duke treguar plumbat e pistoletës në tavolinën e një lokali në Zharrëz.

Krimi i dyfishtë ndodhi me 21 Janar, pranë portës së Universitetit të  mjekësisë në rrugën e Dibrës. Pasi shtiu mbi studenten e Juridikut, Aldison Belulaj qëlloi veten me një plumb.

23-vjeçari nuk mundi t’i mbijetojë plagës së marrë në kokë. Prej pak ditësh ai kishte kaluar në gjendje kome të pakthyeshme në reanimacionin e spitalit të Traumës ndërsa të dielën pasdite ndërroi jetë. Ceremonia e varrimit u bë një ditë më pas.

Tv Klan