Filmi “Fast & Furious 9” ka sjellë fitime të majme për arkat filmike botërore  pas një viti shkatërrues të ndikuar nga pandemia.

Vazhdimi i nëntë i serive të filmit të njohur aksion tashmë ka arkëtuar 127 milionë dollarë nga debutimi i tij nëpër kinematë ndërkombëtare. Në këtë mënyrë ka tejkaluar shumën të cilën kishte fituar projekti, “Godzilla vs. Kong”, dhe është kthyer në filmin  me debutimin më të mirë që kur koronavirusi goditi  rëndë industrinë e filmit.

Aktualisht “Fast & Furious 9” është duke u shfaqur në tetë shtete të ndryshme të botës, si Rusia, Korea e Jugut, Kina, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkura Arabe dhe Egjipti.

Në Kinë, një treg i spikatur dhe me ndikim në industrinë e filmit, projekti i mbushur me skena aksion, ndjekje të rrezikshme me vetura por edhe momente humori, fitoi gjithsej 105 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinema brenda tri ditëve të para të lançimit, duke shënuar kështu hapjen më të mirë të një filmi hollivudian që  prej fillimit të pandemisë.

 “Fast & Furious 9” do të lançohet nëpër kinematë e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, nga 25 Qershori i këtij viti.

Klan News