Disa orë pas atentatit ndaj Altin Halilit, policia e Beratit mori në pyetje vëllain e Sokol Kaloshit dhe 2 nipërit e tij. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Anila Sefa, e cila raporton po ashtu se efektivët kanë kryer edhe kontrolle në banesat e personave në fjalë. Megjithatë, pas marrjes në pyetje, ata u lanë të lirë.

Pasditen e së hënës Altin Halili po udhëtonte me makinë, kur ndaj tij u qëllua me breshëri plumbash. Ngjarja ndodhi në fshatin Dushnik të Beratit. 46-vjeçari nuk pësoi dëmtime, ndërsa dyshimet janë se ngjarja vjen si pasojë e hakmarrjes.

Kjo pasi Altin Halili ka qenë i dënuar me 15 vjet heqje lirie për vrasjen e Sokol Kaloshit në Lushnje, në 1997-n. Pas daljes nga burgu në vitin 2010, 46-vjeçari ishte larguar drejt Italisë dhe kishte pak kohë që ishte rikthyer.

Edhe dyshimet e vetë Halilit duket se lidhen pikërisht me këtë ngjarje. Sipas gazetares Sefa, ai mësohet të ketë hedhur dyshime se atentati i është bërë si hakmarrje për vrasjen e ndodhur në 97-n.

Para grupit hetimor Halili ka treguar po ashtu se po kalonte përpara një shkolle private në Berat nuk ka parë 3 persona të maskuar që i bënë pritë. Në këtë moment i dha gaz makinës duke i shpëtuar të shtënave. Në drejtim të tij u qëllua të paktën 10 herë.

Menjëherë pas ngjarjes policia nisi punën për të identifikuar e kapur autorët. Gjatë kontrolleve, në fshatin Kozarë u gjet një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përdor nga atentatorët./tvklan.al