46-vjeçari Altin Halili, i cili pasditen e të hënës ra pre e një atentati me armë në Dushnik të Beratit, u tha hetuesve se dyshon që ngjarja të jetë pasojë e një hakmarrje të mundshme për një vrasje të kryer prej tij në 1997.

Halili ka vuajtur një dënim prej 15 vitesh burg për vrasjen Sokol Kaloshit, të shlyer në vitin 2010 dhe që nga ajo kohë jetonte në Itali.

“Mendoj se ndaj meje kanë qëlluar për t’u hakmarrë për një vrasje që unë kam kryer në vitin 1997 dhe për të cilën jam dënuar. Në momentin kur më qëlluan me armë isha duke kaluar pranë një shkolle dhe pashë 3 persona të maskuar. Ata më zunë pritë dhe sapo i pashë shtova shpejtësinë e makinës”.

Hetimet e deritanishme treguan se ndaj 46-vjeçarit është qëlluar me armë zjarri automatik rreth orës 16:10. Të paktën 10 plumba kanë kapur pjesën e pasme të makinës së tij, teksa autorët pas ngjarjes dogjën makinën në fshatin Kozarë.

Policia e Beratit shoqëroi dhe mori në pyetje disa persona mes të cilëve edhe të afërm të Sokol Kaloshit, por më pas i ka liruar të gjithë.

Tv Klan