Të shtëna me armë zjarri i janë drejtuar këtë pasdite automjetit të Altin Halilit në Berat. Automjeti është qëlluar në rrugën e fshatit Dushnik në tentativë për të vrarë 46-vjeçarin, por fatmirësisht nuk e ka prekur asnjë plumb.

Sipas burimeve për Klan News, Halili është  qëlluar me 10 plumba në pjesën e pasme të makinës së tij. Dyshohet se kanë qenë dy autorë të cilët kanë qëlluar me automatik ‘Scorpion’ dhe kanë mbledhur gëzhojat.

Altin Halili është një person me precedentë të mëparshëm kriminalë pasi ka vuajtur një dënim prej 12 vitesh burg për një vrasje. Ai ka dalë nga burgu prej pak kohësh.

Gjatë kontrollit të zonës nga autoritetet, në fshatin Kozare është gjetur një automjet që po digjej që nuk  dihet se kujt i përket. Makina e djegur është tip “Hyundai“ në ngjyrë ulliri.

Dyshohet se autorët janë nga Fieri ndaj për kapjen e tyre janë angazhuar edhe forcat policore të Fierit dhe komisariateve në varësi.

Hetimi dhe operacioni për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit po vijojnë nën drejtimin e prokurorisë.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 16:10, në rrugën e fshatit Dushnik, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të  automjetit që drejtohej nga shtetasi A. H, 46 vjeç, banues në Berat, person me precedent të mëparshëm kriminal. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, Forcat Operacionale dhe ato Shqiponja të DVP Berat dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Njëkohësisht është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e  Prokurorisë i cili ndodhet në vendngjarje.

Gjithashtu në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve dhe gjatë  kontrollit të zonës në fshatin Kozare kanë gjetur një automejt që po digjej që dyshohet se mund të jetë i autorëve.

Nga veprimet e shpejta dyshohet se autorët janë nga qarku Fier dhe për këtë janë angazhuar në veprimeve operacionale dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariateve në varësi të saj.

Për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera.

Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale nën drejtimin e Prokurorisë për të bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e  plotë ligjor të këtij rasti./tvklan.al