Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rimëkëmbje të fortë ekonomike këtë vit, pas recesionit të vitit që lamë pas. Fushata globale e vaksinimit pritet të jetë motori i ekonomive, ndërsa FMN pret që Shqipëria të ketë rritje 5%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është edhe më optimist për rritjen globale këtë vit, por insiston se ka ende “pasiguri të lartë” përpara.

Për Shqipërinë, parashikimi për rimëkëmbjen zbehet disi në krahasimin me raportin e fundit që Fondi publikoi, por vuloset një ecuri më pozitive pas mbylljes së vitit të vështirë 2020.

Në “Pasqyrën Ekonomike Globale 2021”, rënia ekonomike për vitin 2020 ishte -3.5%, një llogaritje kjo që shkon pranë vlerësimet zyrtare të INSTAT, me -3.3%, ndërsa viti 2021 pritet të sjellë një rritje 5%, dhe jo 6.1%, siç  vlerësohej në tetor.

Fjala kyçe e raportit për zhvillimin dhe rihapjen e ekonomive globale mbetet vaksinimi, proces i cili dita-ditës po shtrihet në botë, ndërsa në Shqipëri janë deri më tani mbi 200 mijë doza të injektuara.

Në rajon, Shqipëria ka rënien më të ulët pas Serbisë (-1%), kurse shteti më i goditur nga pandemia ishte Mali i Zi, me -15.2%.

Maqedonia Veriut u tkurr me -4.5% dhe Kosova me -6%.

Në rang global, FMN pret që ekonomia të rritet me 6 për qind, pas recesionit -3.3 për qind që pësoi në vitin që lamë pas me masat drastike që shumë prej shteteve ndërmorën.

Përjashtim në treguesit e Prodhimit të Brendshëm Bruto bëjnë vetëm 2 shtete, Kina e Turqia të cilat rezultojnë me normë pozitive të rritjes ekonomike.

Klan News