Vendi rrezikon luftën civile dhe rikthimin e ISIS

Trupat amerikane janë  tërhequr  nga baza e tyre kryesore ushtarake në Afganistan. Largimi nga Baza Ajrore e Bagramit shënjon fundin e luftës më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Pentagoni e konsideroi këtë si një ‘moment historik’ por këmbënguli se ushtria amerikane ka ende autoritetin për të mbrojtur forcat afgane.

Ndërsa Presidenti Joe Biden tha se tërheqja është në rrugë të mbarë, por disa trupa amerikane do të mbeten në Afganistan. Bagram ishte vendi ku ushtria amerikane koordinoi luftën e saj ajrore dhe mbështetjen logjistike për të gjithë misionin e saj afgan.

Në krahun tjetër talebanët e kanë përshëndetur me anë të zëdhënësit të tyre largimin e amerikanëve duke theksuar se afganët mund t’i afrohen më shumë stabilitetit dhe paqes me tërheqjen e plotë të forcave të huaja. Kjo mbetet gjithsesi në dyshim pasi janë të shumtë ata që besojnë se vendi mund të përfshihet nga një tjetër luftë civile ndërsa Shteti Islamik ka dhënë shenja rigjallërimi.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha të premten se në veri të Afganistanit ISIS po ngre baza të tij pas largimit të forcave amerikane dhe atyre të NATO-s. Që nga nisja e konfliktit më shumë se 3500 trupa ndërkombëtare  janë vrarë në Afganistan.

Tv Klan