Sekretari i Selisë së Shenjtë vizitë zyrtare në vendin tonë

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Paul Richard Gallagher zhvilloi vizitë zyrtare në vendin tonë me fokus forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Pjesë e vizitës ishte edhe Kreu i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj.

Si mikpritëse e përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë, ministrja Olta Xhaçka u ndal te marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin që datojnë prej shekujsh

“Me Vatikanin na lidh historia e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, na lidh e Shenjta Nënë Terezë, figura që bëjnë të ndihet krenar çdo shqiptar, pavarësisht përkatësisë fetare.  I shpreha Imzot Gallagher mirënjohjen tonë për shpalljen e Lumturimit të 38 martirëve në përfaqësim të Kishës Katolike shqiptare, si dhe krenarinë tonë për emërimin e Don Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan. Kjo është një shenjë e qartë vlerësimi jo vetëm për rezistencën e Kishës Katolike por edhe të besimtarëve katolikë dhe të mbarë popullit shqiptar”, tha ajo.

Xhaçka u ndal edhe tek projektet e ndryshme të Selisë së Shenjtë dhe Kishës Katolike Shqiptare në vendin tonë.

“Selia e Shenjtë dhe Kisha Katolike janë shumë aktivë në hapësirën shqiptare me një sërë iniciativash e projektesh në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, ndihmës sociale. Biseduam edhe për mundësinë  e marrëveshjes së bashkëpunimit me Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù”, për trajtimin e rasteve urgjente dhe shërimin e sëmundjeve komplekse të fëmijëve shqiptarë”.

Ndërsa Imzot Paul Richard Gallagher foli për marrëdhëniet dypalëshe dhe te ardhmen europiane te Shqipërisë.

“Diskutuam për marrëdhëniet tona bilaterale dhe kontributin që Kisha Katolike Shqiptare ka në shoqërinë tuaj në veçanti sa i përket fushave të shëndetësisë dhe arsimit. Për sa i përket të ardhmes europiane të Shqipërisë ne jemi të bindur që do vazhdojmë të japim ndihmesën tonë për unitetin e plotë të gjithë sferës europiane, duke patur parasysh edhe luftën në Ukrainë dhe ndikimet e saj në Rajon”, tha Gallagher.

Forcimi i marrëdhënieve të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Vatikanit ishte me rivendosjen e tyre në 1991 pas rrëzimit të regjimit komunist.

Klan News