Një foshnje në Kinë ka lindur e prekur nga koronavirusi. Sipas mediave kineze, i porsalinduri u diagnostikua i prekur me virusin e rrezikshëm, 30 orë pas lindjes.

Foshnja ka lindur më 2 Shkurt në Wuhan të Kinës, qyteti që konsiderohet si epiqendra e virusit. Nëna e foshnjes ka rezultuar e infektuar me koronavirus para se të lindte.

Është e paqartë se si u transmetua ky virus;, kur foshnja ishte ende në barkun e nënës apo pas lindjes. Ekspertët e mjekësisë besojnë se fëmija mund të jetë infektuar në barkun e nënës.

Foshnja ka lindur me peshë 3.25 kilogramë dhe është në gjendje të qëndrueshme, teksa po mbahet nën vëzhgim nga mjekët.

“Ky rast na detyron që t’i kushtojmë vëmendje lidhjes së nënës me foshnjen, si një rrugë e mundshme e transmetimit të koronavirusit”, ka thënë për Reuters mjeku Zeng Lingkong.

Koronavirusi ka shkaktuar 563 të vdekur deri më tani dhe mijëra të tjerë të infektuar në mbarë botën. /tvklan.al