Policia e Tiranës njoftoi sot se ka mundur të arrestojë 4 personat, të cilët 3 ditë më parë tentuan të vrisnin një 25 – vjeçar, tek “Komuna e Parisit”.

Personi i cili plagosi me pistoletë Lorenc Hoxhën, që policia e ka identifikuar si ekzekutorin është Dejvis Rrustemaj.

Këtij të fundit iu bë një atentat me armë më datë 4 Maj, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.

27 – vjeçari nga Tropoja pas atentatit i tha policisë se kishte qenë në gjendje të dehur dhe se nuk mbante mend kush e kishte qëlluar.

Nga verifikimet e kryera është konfirmuar se autorët e atentatit, iu afruan 27 – vjeçarit me një mjet fuoristradë “Volkswagen” Tuareg. Nga brenda saj një person qëlloi me armë zjarri, ndërsa më pas mjeti u largua me shpejtësi.

Rrustemaj njihet nga policia si person me precedentë penalë dhe i skeduar.

Rasti më i njohur është ai i kanosjes së Andi Fishekut, djalit të biznesit të karburanteve, Ilajz Fisheku. Për këtë ngjarje ai është hetuar nga Prokuroria e Tiranës në Shtator të vitit 2005./tvklan.al