Gjatë 24 orëve të fundit janë riatdhesuar në vendin tonë 50 shqiptarë të cilët janë kthyer nga Franca. Të riatdhesuarit kishin shkelur rregullat e lëvizjes në zonën Schengen apo u ishte refuzuar azili.

Në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur shqiptarët e kthyer pas nga vendet e BE-së, ishte dhe zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda, e cila tha se qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e Bashkimit Europian për shkak se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt.

“Ministria e Brendshme e Shqipërisë është duke komunikuar me Ministritë homologe të vendeve si Franca apo vende të tjera, për të rishikuar procedurat e dhënies së azilit në këto vende, me qëllim shkurtimin e kohës së procedurave, por edhe mënyrën se si do të trajtohen shtetasit shqiptarë, që vijnë nga një vend i sigurt.

Kështu që udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë, por është një hap i gabuar, është një hap që kushton dhe jo vetëm shpenzon, por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së.

Unë dëshiroj të kujtoj që Shqipëria është një vend i sigurt, pra është në listën e vendeve të sigurta dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së”,

ka theksuar Voda.

/tvklan.al