Britania e Madhe rrezikon të zhytet në kaos dhe revolta popullore, nëse del pa marrëveshje nga Bashkimi Europian. Mediat vendase shkruajnë se policia britanike ka hartuar një raport ku përgatitet për më të keqen, zhytjen e vendit në kaos nga rritja e çmimeve si pasojë e mungesës së marrëveshjeve tregtare me Brukselin si dhe mungesën e ilaçeve dhe ushqimeve. Vendi mund të dalë jashtë kontrollit dhe të rritet numri i vrasjeve apo vjedhjeve.

Në raportin e siguruar nga e përditshmja ‘The Times’ thuhet se mund të kërkohet deri shpallja e gjendjes së shtetrrethimit në mënyrë që ushtria të ndërhyjë për të mbajtur situatën nën kontroll. Përfaqësuesit e qeverisë nuk besojnë në një skenar të tillë. Megjithatë krerët e policisë britanike thanë se janë të detyruar të parashikojnë dhe të përgatiten për çdo situatë kaotike.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka paraqitur projektin për planin përfundimtar të marrëveshjes me Bashkimin Europian për shkëputjen e Britanisë së Madhe. Plani parashikon të ruajë unionin doganor me Brukselin dhe të lehtësojë lëvizjen e ndërsjelltë mes qytetarëve britanikë dhe europianë. Por projekti rrezikon të mos miratohet pasi po has në kundërshtimin e çerekut të deputetëve konservatorë, të cilët janë pjesë e linjës së ashpër kundër Bashkimit Europian.

Tv Klan