Fundi i Gushtit pritet të sjellë një mot të paqëndrueshëm në territorin shqiptar. Sinoptikani Hakil Osmani tha se kjo javë pritet që të ketë mbizotërim të kthjellimeve në orët e para të ditës, ndërsa pasditet do të kenë vranësira.

“Parashikohet që edhe ditën e sotme në orët e pasdites vranësirat të pësojnë zhvillime kryesisht në zonat jugore dhe pjesërisht në zonat qendrore duke bërë që në zonat qendrore të kemi momente të pakta me pika shiu në zona të izoluara ndërsa reshjet do të jenë më të dukshme në zonat jugore”, tha sinoptikani.

E marta do të sjellë mot të qëndrueshëm në pothuajse të gjithë territorin shqiptar. Ndërsa nga e mërkura e deri të paktën të premten parashikohet që vranësirat të bëhen më të shpeshta në vendin tonë.

“Gjatë orëve të pasdites përveçse do të kemi shtim të vranësirave kemi dhe rritje të lagështirës në ajër, çka do të bëjë të kemi mundësi për shi në gjysmën lindore të territorit shqiptar. Herë pas here reshjet do të jenë në formën e rrebesheve kryesisht më të dukshme përgjatë shtrirjes lindore, ndërsa pjesërisht qytetet e zonave të ulëta pritet të kenë momente të pakta me pika shiu”, tha ai.

Edhe pse moti i paqëndrueshëm, temperaturat do të vijojnë të jenë të larta. Në disa qytete do të ngjiten deri në 39 gradë Celsius termometrat ditën e sotme. Nga e marta e në vijim do të ketë një rënie graduale me temperaturat që mund të arrijnë në maksimum rreth 35 ose 36 gradë Celsius./tvklan.al