Kërkon falje, por nuk pranon të ketë bërë ndonjë gabim. Futbollisti i Manchester United, Harry Maguire, i cili u përfshi në një sherr në Greqi me disa policë ka deklaruar se u frikësua për jetën kur e arrestoi policia greke pasi mendoi se po e rrëmbenin.

Mbrojtësi anglez, për të cilin u raportua disa ditë më parë më media nga burime pranë tij se disa shqiptarë i sulmuan të motrën prandaj u konfliktua në Mikonos, ka folur për herë të parë për BBC-në.

Sipas Maguire, oficerët e policisë ishin civilë dhe nuk e kishin identifikuar veten. Sipas tij, civilët e kishin ndaluar në minibusin me të cilin po udhëtonte dhe se ishte përpjekur të largohej edhe pse kishte një prangë në dorë sepse nuk e kishte idenë se kush ishin këta persona. Emocional dukej Maguire gjatë intervistës së tij, duke mohuar akuzat për ryshfet.

“Nuk ndihem sikur dua t’i kërkoj falje dikujt. Ndjesa kërkohet kur ke bërë gjëra gabim. Unë nuk ia uroj këtë gjë askujt. Natyrisht situata është bërë e vështirë edhe për një nga klubet më të mëdha në botë kështu që pendohem që i futa drejtuesit dhe fansat në këtë gjë, por nuk kam bërë asgjë gabim”, ka treguar ai.

Maguire pretendon që kanë qenë dy persona që i janë afruar motrës së tij Daisy dhe e kanë pyetur se nga ishte. Më pas ka qenë e dashura e tij që ka parë që asaj i ranë ndjenjat. “Në këtë moment të gjithë po bërtisnin kur tre grekë me rroba civile u përfshinë në ngjarje”, tha ai.

Maguire raporton se në këtë moment nuk ka pasur asnjë sherr fizik me asnjë person. Gjithçka ka ndodhur pasi kanë hipur në minibus për të shkuar drejt hotelit. Ai thekson se janë ndaluar rrugës nga një grup prej 8 personash me rroba të thjeshta. Në këtë moment 27-vjeçari ka menduar se po rrëmbeheshin.

Ai sëbashku me një mik janë larguar drejt rrugës kryesore për të kërkuar ndihmë. Maguire pretendon se ka ndaluar, ka ngritur duart lart ndërsa policët e kanë goditur në këmbë.

“Më thanë: S’ka më futboll, nuk do të luash më”, u shpreh Maguire.

Në këtë moment mbrojtësi pretendon se nuk ka pasur mundësi që këta persona të jenë policë dhe është përpjekur të largohet. Ai shprehet se nuk ka goditur oficerët ndërsa akoma nuk e beson që janë policë.

“Kur më kanë dërguar në polici u qetësova edhe pse duket e çmendur ta thuash”, ka thënë Maguire.

Gjykata greke ka dënuar me kusht 21 muaj e 10 ditë burg futbollistin për sherrin. Ai është shpallur fajtor për akuzat e dëmtimeve trupore, tentativë për të dhënë ryshfet, dhunë dhe fyerje ndaj punonjësve të policisë pas arrestimit. Bashkë me të, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 13 muaj burgim vëllai dhe shoku i Harry për të njëjtat akuza. Ai e ka apeluar çështjen.

Ndërkohë prokurori Ioannis Paradissis tha pasi mediat angleze nxorrën versionin se futbollisti ishte përleshur me një grup shqiptarësh se historia ishte e turpshme dhe e sajuar nga futbollisti anglez dhe miqtë e tij.

“Maguire dhe shokët e tij trilluan një histori për shqiptarët që ngacmuan motrën e tij. Nuk kam dëgjuar kurrë gjëra kaq të ulëta. Kjo ishte përpjekje e turpshme për të mbuluar sjelljen e tyre të neveritshme dhe një fyerje për shqiptarët dhe për policinë greke”, tha prokurori./tvklan.al