Gati dy javë më parë, në Selenicë të Vlorës mbeti i plagosur 50-vjeçari Jetnor Xhaferi, të cilit iu bë atentat. Ai u plagos lehtë në krah nga atentatori i cili e qëlloi nga makina.

Por gazetari i News24 Enrik Mehmeti ka dhënë të tjera detaje për këtë ngjarje. I ftuar në studion e emisionit “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, Mehmeti e konsideroi atentat agresiv. Kjo, sipas tij, për arsye sepse atentatori ndoqi në këmbë 50-vjeçarin Xhaferaj pasi pa që ky i fundit kishte mbetur i plagosur dhe po largohej.

I plagosuri mundi të shpëtonte vetëm për faktin që arriti të hynte në banesën e tij, pavarësisht se atentatori e ndoqi deri në katin e 5-të të pallatit ku banon.

Spartak Koka: Më 16 Maj është bërë një tjetër atentat, ndaj Jetnor Xhaferaj. Dhe është mesa duket një konflikt i dy familjeve, një konflikt i cili ka një historik që nga viti ’98.

Enrik Mehmeti: Po hetohet edhe në këtë rast. Më shumë se sa konflikti po hetohet edhe një pistë tjetër, edhe mbi të kaluarën që ka pasur jashtë Shqipërisë, sepse ai kishte vetëm pak ditë që ishte rikthyer nga Gjermania.

Spartak Koka: Por në këtë rast si arriti t’i shpëtonte atentatorit?

Enrik Mehmeti: Në atë rast ai ka qenë një atentat vërtetë tepër agresiv. Agresiv sepse atentatorët nuk janë mjaftuar vetëm duke e goditur nga automjeti, por duke parë që ai është larguar në drejtim të banesës së tij, e ka ndjekur me këmbë njëri prej autorëve, e ka ndjekur deri në katin e 5-të të banesës që ai jeton dhe ka arritur të hyjë brenda shtëpisë. Kjo ka qenë arsyeja pse ai arriti të shpëtonte.

Spartak Koka: Pra e ka ndjekur nga poshtë pallatit deri lart?

Enrik Mehmeti: E ka ndjekur me këmbë, këmba-këmbës.

Spartak Koka: Pra, atentatorët s’kanë pasur frikë ta ndjekin deri sipër?

Enrik Mehmeti: Prandaj e them, sepse në shumë raste ne kemi parë atentate që bëhen goditje dhe largohen. Nuk sigurohen nëse shpëtoi. Në rastin konkret e kanë ndjekur këmba-këmbës pavarësisht se nuk ja kanë arritur dot.  

/klanplus