Policia e Elbasanit ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit me të cilën autorët kryen vrasjen e Emiljano Ramazanit më datë 20 korrik 2020.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë,  nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me forcat speciale Renea, forcat “Shqiponja” dhe Policinë e Peqinit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve me inicialet A. M., 64 vjeç dhe S. M., 37 vjeç, lindur e banues në Peqin (babë e bir).

Pas informacioneve të grumbulluara gjatë punës hetimore se në ambientet e biznesit të këtyre shtetasve në Peqin ishte fshehur arma e krimit, është ushtruar kontroll i befasishëm dhe si rezultat, në ambientet e brendshme të biznesit, poshtë sabratorit të një makine u gjet një armë zjarri pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe nga provat shkencore ka rezultuar se arma e zjarrit e sekuestruar është arma e zjarrit pistoletë e përdorur në ngjarjen e datës 20.07.2020, në Elbasan, ku u vra Emiljano Ramazani.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Emiljano Ramazani u ekzekutua me 6 plumba pistolete më 20 korrik. 39-vjeçari po kthehej nga palestra, sapo kishte blerë disa ushqime dhe fruta për në banesë, dhe në fytyrë mbante maskë.

Në kamerat e sigurisë dallohet një person që afrohet dhe e qëllon disa herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Babai i 4 vajzave lëvizte me një makinë Ford Focus. /tvklan.al