Gjermania bashkon të dashuruarit, por…


Gjermania bashkon të dashuruarit, por…

20:09 13/08/2020

Qeveria ne Berlin ka hapur dyert sot për djemtë apo vajzat shqiptare apo nga shtete të tjera jashtë BE-se që kanë partnerë të dashur në Gjermani. Ata tashmë do të lejohen në udhëtimin e tyre të dashurisë edhe nëse nuk kanë vizë gjermane apo pasaportë të BE, por duke plotësuar disa kushte para nisjes.

Çifti ku partneri apo partnerja jeton në Gjermani duhet të dëshmojë se janë në një marrëdhënie dashurie, ose çifti ka një vendbanim të mëparshëm të përbashkët.

Në pikën kufitare, shtetasi që pretendon se është i dashuruar në Gjermani duhet të paraqesë një ftesë nga personi që jeton në këtë shtet, si dhe një kopje e dokumenteve të identitetit të personit që e ka bërë ftesën.

Duhet po ashtu t’i paraqitet Policisë Kufitare gjermane edhe një deklaratë për ekzistencën e marrëdhënies së dashurisë, të nënshkruar nga të dy partnerët dhe duke përfshirë detajet e kontaktit të dy partnerëve.

Krahas kësaj udhëtari apo udhëtarja qe niset drejt partnerit apo partneres duhet të ketë me vete po ashtu dëshmi për takimet e mëparshme personale, në veçanti të tregojë vulat e pasaportave, dokumentet e udhëtimit, biletat e kthimit për qëndrim afat shkurtër, fotot e çiftit, postimet në media sociale, korrespondenca postare e çiftit që do ritakohet në Gjermani.

Pavarësisht nga plotësimi i këtyre kushteve vendimi nëse do të lejohet hyrja në kufi i këtyre shtetasve të dashuruar do të vendoset në kufi nga Policia Federale Gjermane. Vlerësohet se rreth 9,000 evropianë janë shkëputur nga partnerët jashtë BE-së.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-se vetëm Franca, Austria, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Norvegjia, Zvicra dhe Holanda kanë hapur kufijtë për këtë kategori udhëtarësh.

Edhe autoritetet norvegjeze thonë se çiftet duhet të provojnë se janë në lidhje dashurie së paku për nëntë muaj. Holanda kërkon që çiftet e pamartuara të dëshmojnë se kanë qenë “rregullisht” pranë njëri-tjetrin për të paktën tre muaj radhazi.

Franca kërkon që çiftet e pamartuara të paraqesin provat e marrëdhënies së tyre në një konsullatë lokale për të marrë një leje udhëtimi drejt këtij shteti.

Në Zvicër, çiftet e pamartuara duhet po ashtu të paraqesin “prova” për marrëdhënien e tyre në formën e letrave të dashurive, postave elektronike dhe fotove të festave në mënyrë që të lejohen të ribashkohen përsëri.

Klan Plus




Të ngjashme