Gjermania është vënë në alarm për një valë të dytë infektimesh. Kjo pasi numri i riprodhimit efektiv të virusit, ose siç njihet nga ekspertët “R”-ja është pothuajse trefishuar për tre ditë.

Gjermanët ishin ndër të parët që lehtësuan masat e kufizimeve pasi ishin një ndër vendet që e përballuan me sukses koronavirusin si pasojë edhe e politikës së testimeve masive.

Por niveli i infektimeve është rritur pasi njerëzit dolën nga karantina dhe bizneset nisën të rihapen.

“R”-ja është numri mesatar i njerëzve që  infekton një i prekur nga një virus. Nëse qëndron nën 1 atëherë virusi është duke u shkatërruar.

Por “R”-ja shkoi në 2.88 të dielën në Gjermani. Pra 100 persona që kanë virusin mund të infektojnë 288 persona të tjerë.

Të shtunën numri i riprodhimit ishte 1.79, ndërsa të premten, 1.06. Ndërkohë në momentin që u lehtësuan masat, “R”-ja ishte 0.7. /tvklan.al