“Siguria e BE nuk mund të garantohet pa ndaljen e Rusisë”

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock bën thirrje që të mbyllet çdo shteg, të cilin Rusia mund ta shfrytëzojë për të minuar afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

“Nuk mund të lejojmë zona gri nëpër Europë. Duhet të bëjmë ç’të mundemi për t’i mbyllur Rusisë të gjitha anët që mund të përdorë në politikën e saj të destabilizimit, dezinformimit dhe infiltrimit. Duhet të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor të forcojnë institucionet demokratike, të forcojnë stabilitetin dhe t’u ofrojnë shtetasve të tyre mundësi ekonomike”, tha Baerbock

Me “zona gri” kryediplomatja gjermane u referohet zonave ku njerëzit e mbështetur prej Rusisë shkaktojnë tensione dhe destabilitet, si në veriun e Kosovës që banohet nga serbët, apo në Republikën serbe të Bosnjes, që kërcënojnë sigurinë edhe të Bashkimit Europian. Ndaj Baerbock kërkon përshpejtim të procesit të integrimit të rajonit pa përjashtuar asnjë vend.

Deklaratat i shpërndau zyra e saj për shtyp, para nisjes së vizitave të kësaj të Hëne në Podgoricë e Sarajevë.

Tv Klan