Përfaqësuesi i mazhorancës socialiste në tryezën e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, u ka propozuar Oerd Bylykbashit, Rudina Hajdarit dhe Petrit Vasilit që Këshilli Politik të mblidhet ditën e nesërme në orën 11:00.

Gjiknuri ka thirrur po nesër  edhe Komisionin e Posaçëm Parlamentar pas Këshillit Politik. Mbledhja do të zhvillohet pasdite në orën 17:00 dhe është e para pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore në Këshillin Politik.

Gjiknuri thotë se është “nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund te Korrikut 2020. Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin”.

Nuk është e qartë sesi do të procedohet më tej me trajtimin e çështjes së sistemit zgjedhor, ligjit për referendumet dhe ligjit për financimin e partive politike.

Socialistët, nëpërmjet Gjiknurit, po ashtu kanë hedhur poshtë kërkesën e të djathtëve europianë që zgjedhjet lokale të bëhen në një ditë me ato parlamentare në Majin e vitit të ardhshëm.

Sipas Gjinkurit, edhe nëse Gjykata e re Kushtetuese do të marrë një vendim për zgjedhjet vendore, vendimi nuk do të ketë fuqi prapavepruese dhe kryebashkiakët e rinj do të zgjidhen në vitin 2023.

Klan Plus