Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Burg pa afat për pronarin e 32 kilogramëve drogë. Kështu ka vendosur sot gjykata e Durrësit për 42-vjeçarin Naim Shera nga Shijaku. Prokurori Shyqyri Duro, e akuzoi Sherën për mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike me qëllim përfitimi dhe armëmbajtje pa leje dhe për këtë kërkoi si masë arresti burg pa afat, kërkesë që është pranuar dhe nga gjyqtarja durrsake Shpëtime Pitaku.

Ndërsa për vëllain e Naimit, Sefer Sherën edhe ky i ndaluar nga policia, nuk është dhënë ende masa e sigurisë. Dy vëllezërit Shera u ndaluan dy net më parë nga policia durrsake, në shtëpinë e tyre në Shijak, ku u gjetën 32 kilogram heroinë dhe kokainë e pastër me vlerë 300 mijë dollarë.

Sipas policisë së Durrësit, vëllezërit Sheraj e tranzitonin drogën nga Turqia dhe Bullgaria për ta kaluar më pas në Itali. Për hetimin e kësaj çështje, po merret një grup i antidrogës së Durrësit, për të zbuluar fije të tjera të mundshme të të implikuarve në këtë rrjet./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj