Google është gjobitur nga Bashkimi Europian me 1.49 miliardë Euro për bllokimin e reklamave për kompanitë rivale. Kjo është hera e tretë që gjigandi i kërkimit gjobitet nga BE në harkun kohor të dy viteve.

Bashkimi Europian akuzon Google se po keqpërdor dominimin e saj në treg duke bllokuar apo kufizuar aktivitetin e rivalëve të tjerë të kërkimit, që kanë të bëjnë me shfaqjen e reklamave.

“Google ka forcuar dominimin e saj në reklamat e motorit të kërkimit në internet dhe ka mbrojtur veten nga konkurrentët duke imponuar kufizime kontraktuale kundër konkurrencës. Kjo është e paligjshme sipas rregullave të Bashkimit Europian”,

tha komisionerja e KE Margrethe Vestager.

Nga reklamat e shfaqura në Google, kompania gjeneroi 30.7 miliardë Dollarë në vitin 2018 dhe 12.66 miliardë Dollarë për vitin 2017.

Vitin e kaluar, Google u gjobit nga BE me një shumë rekord prej 4.34 miliardë Dollarë, ndërsa në vitin 2017 u gjobit me 2.42 miliardë Euro. Mes viteve 2006 – 2016 Google zotëronte më shumë se 75% të tregut të reklamave online në BE.

/tvklan.al