Shpallet në kërkim organizatori e disa të tjerë

Policia ka identifikuar autorin kryesor të grabitjes dhe dhunimit të biznesmenit Nazmi Çangu, në shtëpinë e tij në Nikël të Fushë Krujës dhe ka arrestuar njërin nga bashkëpunëtorët e tij.

Truri i grabitjes konsiderohet Artan Prenga, një person me precedentë penalë në vjedhje, grabitje, plagosje e trafik droge, i shpallur tashmë në kërkim. 

Ndërsa në pranga ra Saimir Kuçi, edhe ai një emër i njohur për policinë, si pjesë e një grupi me 5 anëtarë, të cilit i janë faktuar të paktën 11 grabitje në Tirane, Durrës, Kavajë, Berat, Laç e Lezhë në vitet 2017-2018, me një vlerë prej 650 milionë Lekësh. Pikërisht nëpërmjet tij policia arriti të zbulojë grupin që hyri në vilen e biznesmenit mesnatën e 24 Tetorit, duke terrorizuar atë dhe familjen.

Kanë qenë gjurmët e lëna prej Kuçit në vilën e Nazmi Cangut që orientuan policinë në pistën e duhur. Forcat e Drejtorisë së Tiranës, të Durrësit dhe komisariatit të Krujës nisën njëkohësisht kontrollet në disa banesa, në operacionin e koduar me emrin  “Kasaforta”.

Anëtarët e tjerë të bandës nuk u gjetën në shtëpitë e tyre, por policia arriti të sekuestroje mjete të cilat dyshohet se ata i kishin përdorur në grabitjen e Cungut, si pranga, maska doreza e bllokues valësh, si ora të shtrenjta e sende me vlerë që besohet se i përkasin biznesmenit.

Biznesmeni Çangu rrëfeu në një intervistë ekskluzive për Tv Klan se vlera e sendeve të grabitura arrinte në afro 100 mijë Euro. Policia tha se veç Artan Prengës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe anëtarët e tjerë të bandës së grabitësve.

Tv Klan