Sipas një studimi të kryer nga revistra Monitor, femrat në Shqipëri janë më të interesuara për të punuar në administratën publike. Kjo lidhet më tepër me faktin që puna në administratë shihet si më e sigurt, me të ardhura më të qëndrueshme e pa vonesa, si dhe me orare fikse e fundjava pushim, në ndryshim nga puna në sektorin  privat, e cila jo gjithmonë gëzon përfitime të kësaj natyre në një pjesë të mirë të pozicioneve.

Pikërisht këto arsye duket se orientojnë vetvetiu femrat të kenë më shumë interes për punën në administratë, duke parë edhe si një mënyrë më të lehtë për të menaxhuar anën tjetër që lidhet me familjen.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga aplikimet që janë bërë për të plotësuar vendet e lira në administratën publike, të paktën 64% janë bërë nga femrat kundrejt 36% nga meshkujt. Interesi për punën në administratë shënoi rekord në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare, kur ka pasur mesatarisht rreth 24 aplikime për një pozicion. Bazuar në 29497 aplikime në total, për 1237 pozicione të shpallura, tregues i cili ka ardhur në rritje në krahasim me vitet e mëparshme.

Për shkak të situatës së pandemisë, rekrutimet në vitin 2020 u bënë edhe online. DAP raportoi se përsa u takon pozicioneve, rreth 76% e tyre  i përkasin nivelit ekzekutiv, pra nivelit bazë të pozicioneve në shërbimin civil dhe nga ku me procedurë normale, hyjnë të gjithën nëpunësit e rinj të cilët i bashkohen administratës.

Në vitin 2020, sipas INSTAT, rezultuan të punësuar 1 131 295 persona sipas sektorëve në tregun e punës. Nga këta buxhetorë, paraqiten të paktën 175 443. Të njëjtat të dhëna tregojnë se në vitin 2020 në tregun e punës janë regjistruar si punëkërkues të papunë mbi 43.6 mijë femra, kurse meshkuj mbi 39.2 mijë.

Ministrat e Punësimit dhe Çështjeve Sociale të BE-së, së bashku me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, u takuan në Slloveni për të zhvilluar bisedime mbi masat për përfshirjen e më shumë të rinjve në tregun e punës, ku disa zyrtarë rajonalë kërkuan edhe zbatimin e një skeme për garantimin e punës për të rinjtë, shkruan Mateja Benec për Euractiv.

“Besoj se punësimi është një faktor kyç që u mundëson të rinjve të jenë të pavarur. Të rinjtë janë një grup delikat në tregun e punës, veçanërisht për shkak të mungesës së përvojës në punë”, tha ministri i Punës slloven, Janez Cigler Kralj, pas takimit në Brdo pri Kranju, të enjten më 8 Korrik.

“Është thelbësore që t’i mbështesim të rinjtë në përfshirjen në tregun e punës në BE dhe në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ministri. Ai theksoi se programet më të suksesshme janë ato që u lejojnë të rinjve të marrin përvojë praktike, ndërkohë që mbështesin edhe punëdhënësit në punësimin e të rinjve. “Ne të gjithë duhet të sigurojmë të drejtat e të rinjve për arsimim, praktikë, ose një ofertë pune, brenda katër muajve që nga dita kur ata mbeten të papunë ose përfundojnë arsimin”, tha Cigler Kralj.

Pjesëmarrës të tjerë prezantuan masat e vendeve të tyre për të promovuar punësimin e të rinjve dhe për t’u mundësuar atyre një punë cilësore. Ata gjithashtu shkëmbyen mendime mbi sfidat strukturore me të cilat përballen të rinjtë në tregun e punës, veçanërisht si pjesë e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital.

Ministrat ranë dakord se skemat e garantimit të punës për të rinjtë duhen zhvilluar dhe forcuar më tej. Sipas Cigler Kralj, partnerët nga Ballkani Perëndimor janë të gatshëm për krijimin gradual, zbatimin dhe zhvillimin e skemave të tilla. Ai tha se ishte gjithashtu i lumtur që ministrat dhe përfaqësuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin për bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë në këtë fushë dhe përpjekjet për të parandaluar papunësinë te të rinjtë.

Komisioneri Europian për Punë dhe të Drejta Sociale, Nicolas Schmit, theksoi se të rinjtë nga Ballkani Perëndimor ishin pjesë e të rinjve europianë, kështu që atyre u duhej dhënë shpresë dhe zgjidhje konkrete për një të ardhme më të mirë. Ai e konsideron skemën e garantimit të punësimit si një angazhim të fortë dhe të qartë se të rinjtë kanë një pikë mbështetëse dhe mund të gjejnë zgjidhje, duke shtuar se është thelbësore që Ballkani Perëndimor të zhvillojë politika ekonomike që do të mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës.

Një pikë tjetër e rëndësishme janë aftësitë dhe njohuritë teknike, veçanërisht në epokën e dixhitalizimit, tha ai. Takimi në Brdo pri Kranju, ishte takimi i dytë i ministrave të Punësimit dhe Çështjeve Sociale të BE-së dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor. Ai u mbajt si pjesë e një takimi jozyrtar dyditor të ministrave të Punësimit dhe Çështjeve Sociale të BE-së, si pjesë e Presidencës së Sllovenisë në BE.

Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Standard & Poor’s (S&P), në rishikimin më të fundit të saj (30 Korrik 2021), konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”, thuhet ne njoftimin e  Ministrise se Financave

Sipas saj vlerësohet  se ekonomia shqiptare do të ringrihet gjatë këtij viti dhe  parashikohet një rritje ekonomike prej 5% dhe se deri në fund të 2021 Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) do të rikuperohet në nivelet e vitit 2019 (para pandemisë).

Agjencia pret që deficiti fiskal, i cili u rrit fort në 2020, do të fillojë të ulet që nga 2022 dhe do të kontribuojë që niveli i borxhit publik ndaj PBB të fillojë të ulet, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shpenzimet për masat kundër pandemisë do të shuhen.

Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së, pasi të kulmojë në rreth 78% të PBB-së në vitin 2021, pritet të bjerë nga viti 2022 e më tej, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shuhet gradualisht efekti i masave mbështetëse.

S&P shprehet se autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, i cili aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit, duke qenë se rreth gjysma e borxhit publik është e denominuar në monedhë të huaj. Maturiteti mesatar i borxhit publik kohët e fundit është rritur, por mbetet relativisht i shkurtër, në 4.5 vjet.

Agjencia shprehet qeveria Shqiptare pret që të zbatojë një strategji afatmesme të të ardhurave për të rritur mbledhjen e tyre. Qeveria Shqiptare ka filluar zbatimin e një sërë sistemeve, përfshirë atë të Fiskalizimit për të siguruar miradministrim fiskal, për të modernizuar sistemin ekzistues fiskal dhe për të siguruar rritje të të ardhurave ndaj PBB-së në mbi 30% në vitet e ardhshme.

Klan News