Greqi: Rikthimi i ekstremizmit të djathtë



Greqi: Rikthimi i ekstremizmit të djathtë

22:01 19/10/2021

Para një viti u ndalua partia ekstremiste “Agimi i Artë” dhe drejtues të saj u dënuan me shumë vite heqje lirie. Por tani e djathta ekstreme në Greqi po forcohet sërish.

Pamjet nga një shkollë profesionale në Stavropuli pranë Selanikut ishin shokuese. Në fillim shikoheshin të rinjtë me maska me shufra hekuri, thika dhe gurë që sulmojnë të rinj të tjerë, që kishin shpërndarë para shkollës fletushka kundër politikës arsimore të qeverisë konservatore. Në fund të maskuarit pozuan para oborrit të shkollës me krahun ngritur për përshëndetjen e Hitlerit. Ky sulm në shkollë u zhvillua më 27 shtator. Ishte aksioni i parë i pasuesve potencialë të partisë neonaziste, “Agimi i Artë”, pas ndalimit të saj para një viti. Prej asaj kohe zhvillohen herë pas here aksione me sfond ekstremist të djathtë në Greqi. Në Evosmos, po një periferi e Selankut në 1 tetor u zhvillua një paradë neonaziste, ku si pasojë pati trazira.

Shkolla si vend rekrutimi

Zhvillimet në Stavropouli nuk janë rrufe në qiell të hapur, thotë Konstantions Tsiselikis, dekan i Universitetit Makedonia në Selanik për DW. Profesori për të drejtën ndërkombëtare, migracionin dhe të drejtat e njeriut shikon tek përshëndetja e nazistëve në oborrin e shkollës një goditje të rëndë kundër karakterit demokratik të arsimit. “Për fat të keq në shumë shkolla ka grupe ekstremiste të djathta”, thotë Tsiselikis. “Ata janë të shpërndarë ntë gjithë vendin, sidomos në zonat pa zhvillim ekonomik, ku grupet neonaziste e kanë të lehtë të rekrutojnë adoleshentët. Akoma më keq është kur mësuesit vetë e tolerojnë këtë rekrutim ose madje e nxisin. Ky është një fenomen që ka nevojë për vëmendje të madhe.”

Para 10 vitesh zona përreth Athinës ishte bastioni i “Agimit të Artë”. Trupat huligane të partisë “Agimi i Artë” sulmonin përditë migrantët në lagjet punëtore të Pireut. Në vitin 2018 Selaniku u kthye në bastion të ekstremistëve të djathtë, edhe në kuadër të protestave nacionaliste kundër një zgjidhjeje të konfliktit me Maqedoninë e Veriut dhe arritjes së Marrëveshjes së Prespës.

Frika nga pasiguria

Tsiselikis e ndjek me shqetësim aktivizimin e ekstremistëve të djathtë në shkolla. “Nxënësit mund të jenë për shkak të moshës së tyre më fleksibël dhe të hapur për ideologji të ndryshme politike. Por duhet të kërkojmë më thellë arsyet, pse nacionalsocializimi për disa të rinj merret si një zgjidhje ndër të tjerat.” Sipas Tsiselikis, e djathta ekstreme nxit frikën për pasiguritë e çdo lloji dhe kjo pasiguri është një nga burimet, nga i cili  ekstremistët e djathtë marrin fuqinë e tyre.

Pas “Agimit të Artë”

Pas ndalimit të partisë neonaziste “Agimi i Artë” dhe dënimit të disa drejtuesve të saj me shumë vite burg vitin e kaluar, e djathta ekstreme po forcohet sërish në shoqërinë greke. Profesor Tsiselikis madje është i mendimit, se dënimi i grupeve kriminele përreth kryetarit të aprtisë, Nikolaos Mihaloliakos hapi rrugën për grupime edhe më ekstremiste si “Trupat e Shenjta” apo “Propatria”. “E djathta ekstreme pësoi një goditje të rëndë me dënimin e drejtuesve të “Agimit të Artë”, por kjo goditje kishte të bënte me legalizimin e mëparshëm të saj në hapësirën publike.” Tani që neonazistët nuk janë më në parlament, grupimet më të vogla janë radikalizuar më shumë. Sipas Tsiselikis “Agimi i Artë” do ta ketë të vështirë të mbijetojë pas këtyre ndryshimeve, “por formacione të tjera kërkojnë një pozicion më të fortë në hapësirën pblike, madje me qëllimin që të krijojnë një parti të re”.

Aktualisht partia qeverisëse “Nea Demokratia” përpiqet të gjejë balancën e vështirë mes një të djathte të moderuar dhe disa mbështetës të majtë të qendrës të qeverisë së Mitsotakis. Nga ana tjetër kryeministri i bën lëshime të djathtëve ekstremë. Në riformësimin e kabinetit qeveritar në shtator, Mitsotakis emëroi si ministër të Shëndetësisë ekstremistin e djathtë të dikurshëm, Thanos Plevris, ai është ministri i tretë i kësaj qeverie me sfond ekstremist të djathtë. Të gjithë këta ministra e kishin filluar karrierën politike tek partia ekstremiste e djathtë, LAOS.

Protestë e kundërshtarëve të vaksinimit, Athinë, 30 gusht 2021

Tsiselikis konstaton, se në kontekstin e luftimit të pandemisë, e djathta ekstreme militante po shfrytëzon padijen dhe frikën e njerëzve nga vaksina për të krijuar një pseudo-rezistencë kundër masave të qeverisë. “Reagimi ndaj masave kundër Coronës apo detyrimi për vaksinim apo kufizimet në jetën shoqërore e ekonomike për të pavaksinuarit po marrin dimensionin e një lëvizjeje rezistence me profil të fortë politik.” Ekstremistët e djathtë po ia dalin që reagimin qytetar t’ia mveshin grupimit të vet dhe ta paraqesin atë si një pjesë të ideologjisë së tyre ekstremiste./DW








Të ngjashme