“Basha i përdor dështimet e PD për fitime personale”

Pas Agron Gjekmarkajt, edhe nënkryetarja tjetër e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion, që e mban prej verës së shkuar. Në një postim në rrjetet sociale, ku njofton vendimin, ajo lëshon akuza të ashpra ndaj Lulzim Bashës, se po e përdor partinë për fitime personale.

“Partia Demokratike e Shqipërisë është në ditët më të vështira, traumat e humbjeve të njëpasnjëshme nuk po rikuperohen, sepse Lulzim Basha i përdor dhe negocion që dështimet e Partisë Demokratike t’i kthehen në fitime të tij. Pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi me maturi politike të ndërmarrë akte të përgjegjshme dhe të japë dorëheqjen, Lulzim Basha përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputetët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike”.

Duma thotë se largimi i demokratëve nga Lulzim Basha, është akti i duhur për të shpëtuar demokratët.

“Fakti që Lulzim Basha nuk largohet edhe pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi dorëheqjen na kërkon të gjithëve vendimmarrje për shpëtimin e demokratëve të sakrifikuar një dekadë. Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimmarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme, sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domosdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë!”

Përveç dy nënkryetarëve Duma e Gjekmarkaj, duke parë Partinë Demokratike forcë të tretë për herë të parë, edhe deputetja Flutura Açka dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet e saj në parti. Në fakt numri i atyre që nuk janë pajtuar me gjendjen në të cilën Lulzim Basha e ka çuar Partinë Demokratike brenda grupit parlamentar të kësaj force është shumë herë më i madh. Deri më tani numërohen mbi 14 deputetë të tjerë, përveç atyre që janë deklaruar që më parë hapur si kundërshtarë të Bashës dhe që i janë bashkuar Foltores.

Pas protestës së 8 Janarit, duke kundërshtuar përjashtimet e disa deputetëve nga Lulzim Basha, dorëheqjen e dha edhe kryetari i Grupit Parlamentar Alfred Rushaj. Bashës tashmë i ka mbetur vetëm mbështetja e kandidatëve të 6 Marsit, të cilët i sollën Partisë Demokratike rezultatin më të keq në historinë e saj, duke e renditur si forcë e tretë politike në Shqipëri.

Tv Klan