Gruaja kërkon divorcin, gjyqtari pretendon se nuk i gjen adresën



Gruaja kërkon divorcin, gjyqtari pretendon se nuk i gjen adresën

21:00 04/11/2020

Emisioni “Stop” sot ka trajtuar problemin e qytetaresLiljana Balla nga Elbasani, e cila kërkon divorcin nga bashkëshorti. Balla ka 3 fëmijë të vegjël nga martesa e parë, por dhe me martesën e dytë gjëra nuk kanë shkuar siç duhet.

Liljana tregon, se i është rrëzuar dy herë kërkesa e padisë nga gjyqtari i Elbasanit Bujar Musta, me pretendimin, se nuk ka adresën e zonjës. Por nga ana tjetër, vendimi për kthimin e padisë, i ka shkuar zonjës në adresë. “Dua të ndahem, më kanë hequr ndihmën ekonomike. Kam fëmijët në shkollë dhe nuk marrë librat falas, vetëm se jam e martuar”, thotë ajo.

Liljana ka bërë kërkesë- padinë për herë të tretë në pritje që të mund të divorcohet. Avokati Eduart Bici, shpjegon, se nuk është normale kjo që bën gjyqtari Bujar Musta.

“Para tre muajsh në mos të gaboj, është paraqitur pranë zyrës sime  Liljana Balla, e cila më ka kërkuar kërkesë-padi për zgjidhje martese. Kjo kërkesë padi është kthyer nga gjyqtari pa shkaqe të arsyeshme. Ai thotë adresën e plotë për paditësen, e kam redaktuar për herë të dytë prapë, por ai e ka pushuar për mungesë adrese. Por vendimi për kthimin e padisë i vete klientes, ndërsa njoftimet nuk i venë. Është hera e tretë që regjistrohet kërkesë-padia dhe është në proces”, shpjegon avokati Eduart Bici.  

Pas këtyre probleme gazetarja e “Stop” arrin të takojë gjyqtarin Musta. Ai bën rezistencë për shumë orë dhe nuk do të flasë me median, duke u ngujuar në një sallë gjyqi. Por pas insistimit të gazetares, duke i bërë disa herë pyetjen se pse ai kthen padinë, gjyqtari premton para kamerës që këtë radhë kërkesë padinë e zonjës do ta shohë me kujdes./tvklan.al










Të ngjashme