Procesi i regjistrimit të gjithë emigrantëve që duan të votojnë në 2025, do të nisë në Janar dhe do të mbarojë në Mars. Lajmi ju dha socialistëve nga kryetari i grupit parlamentar në takimin informal që zhvilluan këtë të premte në Elbasan. Niko Peleshi ka kërkuar të angazhohen për të informuar sa më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë që të regjistrohen në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e votës.

Kjo ishte vetëm një nga çështjet e diskutuara në takimin e socialistëve në këtë resort në Labinot, që 8 muaj para zgjedhjeve parlamentare kanë gjetur një format jo fort të zakonshëm për të diskutuar mbi organizimin dhe komunikimin në fushatë, por dhe për rolin që ka parlamenti në përafrimin e legjislacionit dhe afrimin e standardeve. 

Kryenegociatorja ka synime të qarta që i ka ndarë me deputetët në këtë takim se kur do të mbahen Konferencat Ndërqeveritare. Ndërkohë që ende nuk është zhvilluar Konferenca e Dytë që çel zyrtarisht kapitujt e negocimit me Bashkimin Europian për shkak të vetos greke, ministrja Majlinda Dhuka siç mëson Tv Klan i ka thënë deputetëve se synimi është që Konferenca e Tretë të mbahet në Dhjetor 2024, e katërta në Mars 2025 dhe konferenca e pestë në Dhjetor të vitit të ardhshëm.

Çështje të tjera që kanë marrë vëmendjen e deputeteve, reformat e qeverisë, ajo antikorrupsion dhe ajo e dizinformimit si dhe nisma më e re, transparenca. Kanë folur për mundësitë që kanë për të afruar pas vetes elektoratin gri që pranojnë se është rritur, kanë bërë analizën e 3 mandateve qeverisës dhe padyshim një pikë e rëndësishme në këtë fushatë sesi do të komunikohet me elektoratin në këto zgjedhje. Porosia për deputetët e njerëzve të ngarkuar nga Edi Rama për komunikimin, është të mos neglizhohet asnjë kanal informimi qofshin mediat tradicionale, emisione politike në çdo media dhe ajo më e rëndësishmja media sociale përfshirë Tik Tok-un.

Kryeministri iu bashkua takimit informal të deputetëve, me të njëjtin format si ai i qeverisë zhvilluar 2 javë më parë në Dajt, vetëm për të dëgjuar konkluzionet e fundit dhe për të drekuar me 74 deputetët e tij  ndoshta për herë të fundit të gjithë bashkë, pasi përbërja e grupit parlamentar pas zgjedhjeve te 2025 s’do të jetë më e njëjta.

Tv Klan